2007-06-25 18:09:28

Grupi i Kontaktit mblidhet për Kosovën pa Rusinë. Toni Bler kërkon durim.


(25.06.2007 RV)Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes për Darfurin, me qëllim garantimin e mbështetjes së plotë ndaj ndërhyrjes së OKB-së dhe të Bashkimit Afrikan në vend, Grupi i Kontaktit u mblodh sot pasdite për të diskutuar mbi Kosovën. Në mbledhje nuk merr pjesë Rusia. Pjesëmarrësit e tjerë janë sekretarja e shtetit të SHBA-ve, Kondolica Rajs, ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, ai italian, Masimo D’Alema, ai gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer dhe nënsekretari britanik për Punët e Jashtme, Lord Dejvid Trisman. Që para fillimit të mbledhjes, pas takimit me amerikanen Rajs, presidenti francez Sarkozi deklaroi se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, por të gjitha shtetet evropiane duhet të arrijnë konsensus për këtë. Ndërkaq, kryeministri britanik Toni Bler, u kërkon kosovarëve të kenë durim, në një letër të bërë të njohur një ditë para largimit nga detyra. Ai e quan pavarësinë, të sanksionuar me një rezolutë të OKB-së, si rezultatin më të mirë për çështjen e Kosovës.

Po përsa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës, sot kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka kritikuar deklaratat e shpeshta të eksponentëve amerikanë në favor të pavarësisë. Sipas tij, këto deklarata ndikojnë negativisht në marrëdhëniet Serbi-SHBA. Dje, edhe presidenti serb, Boris Tadiç përsëriti qëndrimin e Beogradit për të mos lejuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në takimin me presidentin rus Putin në Zagreb, në kuadrin e një mbledhjeje për bashkëpunimin energjitik në rajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.