2007-06-22 19:33:11

Lajme nga bota


(22.06.2007 RV)Masakër e re civilësh në Afganistan. Fatkeqësisht, edhe një herë përgjegjës është i ashtuquajturi “zjarr mik”. Gjatë një sulmi ajror të NATO-s në provincën e Helmandit, u vranë 25 civilë, ndër të cilët 9 gra e 3 fëmijë. Gjetën vdekjen edhe 20 persona të dyshuar si talebanë. Autoritetet afgane kanë protestuar, duke sqaruar se nuk janë lajmëruar për sulmin.

Në Irak, një bombë në provincën e Al Anbarit ka shkaktuar vdekjen e 20 policëve irakianë. 17 terroristë të Al Kaidës janë vrarë ndërkaq nga forcat e koalicionit, pranë Khalisit. Gjatë muajit qershor kanë humbur jetën 60 ushtarë amerikanë e mëse 1000 civilë. I vetmi lajm i mirë është se kanë liruar 8 të krishterët e rrëmbyer të mërkurën, por pas pagimit të një shume të majme të hollash.

Nesër, në Indi do të mbahet një manifestim për të drejtat e njeriut dhe kundër persekutimeve në rritje ndaj të krishterëve. Në këtë iniciativë do të marrin pjesë persona të zonave të ndryshme të vendit aziatik dhe përfaqësues të bashkësisë së krishterë. Kohët e fundit, shumë shtete indiane kanë miratuar ligje kundër kthimit në një fe tjetër.

Të dërguarit e veçantë të Kuartetit të ndërmjetësuesve për Lindjen e Mesme do të arrijnë në Jeruzalem të martën, një ditë pas takimit rajonal në Egjipt, ku kryeministri izraelit Ehud Olmert do të bisedojë me presidentin palestinez Abu Mazen, me presidentin egjiptian dhe me mbretin e Jordanisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.