(22.06.2007 RV)Liderët evropianë nuk e patën sot në rendin e ditës çështjen
e Kosovës, por ajo u diskutua prapa skenës. Nga njëra anë, SHBA-të dhe Rusia kanë
konfirmuar qëndrimet e tyre, nga ana tjetër, Bashkimi Evropian dëshiron të shmangë
shpalljen e njëanshme të pavarësisë, pasi në atë rast, disa shtete evropiane do të
shkonin me Amerikën e do ta njihnin shtetin e Kosovës e disa të tjera jo. Kjo do t’i
sillte Brukselit pamundësinë totale për të administruar misionin e vet në Prishtinë,
pasi për çdo vendim do të duhej unanimiteti, i cili në këtë rast nuk ekziston. Rezolutat
e propozimet për shtyrjen e përcaktimit të statusit, nuk janë aq në favor të Serbisë
apo të Kosovës, por janë përpjekje për të fituar kohë, në mënyrë që të gjitha shtetet
evropiane të votojnë njëzëri për çështjen. Sot në mbledhjen e ambasadorëve të
Këshillit të Evropës, në Beograd, Serbia, që është presidentja e turnit, bëri thirrje
për “një zgjidhje krijuese” të çështjes kosovare. Presidenti Boris Tadiç hodhi edhe
një herë poshtë mundësinë e pavarësisë, por nuk sqaroi nga ana tjetër, se cila do
të ishte kjo zgjidhje e propozuar nga Beogradi. Dihet vetëm se kryeministri Koshtunica
preferon ta dorëzojë më parë këtë pako me propozime në Moskë e më pas ta bëjë të njohur
botërisht.