Në audiencën me Katolikosin, Patrikun Mar Dinkha IV, Benedikti XVI i shprehu afërsinë
të krishterëve të Irakut, që e dëshmojnë fenë e tyre me çmimin e flijimeve heroike.
(21.06.2007 RV) Situata e vështirë e të krishterëve në Irak dhe impenjimi për
një dialog të ri ekumenik, ishin temat kryesore që preku Papa gjatë takimit të sotëm
me Mar Dinkhën, Katolikos Patrik i Kishës Asire të Lindjes. Benedikti XVI uroi
një bashkëpunim më të ngushtë baritor ndërmjet bashkësisë katolike e asaj asire, që
numron 400 mijë besimtarë. Në vijim, vuri theksin tek rezultatet e arritura nga Komisioni
për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike dhe Kishës asire të Lindjes. Por,
mbi të gjitha, Ati i Shenjtë kujtoi të krishterët e trojeve irakiane, që kanë kontribuar
aq shumë në përhapjen e Ungjillit e që sot vuajnë shpirtërisht e materialisht. Në
Irak – kujtoi Ati i Shenjtë – familjet dhe bashkësitë e krishtera e ndjejnë gjithnjë
më shumë presionin e pasigurisë, të agresionit e jo më pak, të braktisjes. Shumë prej
tyre nuk shohin asnjë rrugëdalje tjetër, veç largimit nga vendi. Duke shprehur shqetësimin
e tij për një situatë të tillë, Ati i Shenjtë u shprehu solidaritetin e tij barinjve
e besimtarëve të këtyre trojeve, që vijojnë të qëndrojnë në këto vise, duke paguar
një çmim fort të lartë.