2007-06-21 18:35:48

Kryeipeshkvi i Kirkukut myslimanëve: mbroni të krishterwt


(21.06.2007 RV)Gjendja në Irak vazhdon të jetë e rëndë, pavarësisht nga ofensiva e forcave të koalicionit kundër Al Kaidës, filluar këto ditë. Sot, gjatë shpërthimit të një bombe në Bagdad gjetën vdekjen 5 ushtarë amerikanë dhe 4 irakianë. Numri i amerikanëve të vrarë gjatë 48 orëve të fundit ka arritur në 14 vetë, ndërsa ai i terroristëve 41.
Ministria irakiane e Punës dhe e Asistencës Sociale ridimensionon gjetjen e fëmijëve të keqtrajtuar në një jetimore të Bagdadit, duke shpjeguar se pse ishin në atë gjendje dhe se ishin shpëtuar nga vdekja e sigurtë. Gjithsesi, është hapur një hetim për të kuptuar të vërtetën.
Nga ana tjetër, kryeipeshkvi i Kirkukut, imzot Lui Sako, duke folur për gjendjen e të krishterëve në Irak, kërkon të ushtrohet presion mbi Lidhjen Arabe dhe mbi organizatat e vendeve myslimane, që të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur jetën e irakianëve e të bashkësisë së krishterë, e cila është një realitet themelor për kulturën irakiane. “Të krishterët – thekson kryeipeshkvi – ndihen irakianë e janë të tillë me gjithsej”.


Në Rripin e Gazës, së shpejti mund të ketë një emergjencë të vërtetë humanitare për shkak të përfundimit të rezervave të miellit, orizit, vajit e ushqimeve të tjera. OKB-ja kërkon hapjen e korridorit tregtar të Karnit, ndërmjet Gazës dhe Izraelit. Të hënën, do të mbahet në Sharm-el-Sheikh të Egjiptit takimi rajonal mbi Lindjen e Mesme. Objektivi i pashpallur i kësaj mbledhjeje është forcimi i presidentit palestinez Abu Mazen dhe izolimi i Hamasit.







All the contents on this site are copyrighted ©.