2007-06-21 18:27:30

Konsensus i vështirë për Traktatin e BE-së


(21.06.2007 RV)Kosova dhe Traktati Kushtetues evropian ishin sot në qendër të vëmendjes në samitin e Bashkimit Evropian, i cili u hap pasdite në Bruksel. Diskutimet mbi Traktatin parashikohen kaq të vështira, sa mbledhja dyditore ka mundësi të vazhdojë edhe të shtunën. Në thelb të propozimit të ri të presidencën gjermane të Bashkimit Evropian, qëndrojnë parimet e traktatit të mëparshëm, por janë bërë disa ndryshime. Është zhdukur për shembull, fjala “kushtetues”, nuk ka më simbole, flamur dhe himn të përbashkët, presidenca bëhet dy-vjeçare dhe ka personalitet juridik, përforcohet politika e jashtme e përbashkët, mbahet sistemi i votimit të dyfishtë, me të cilin nuk është dakord Polonia. Nga ana tjetër, Britania e Madhe nuk dëshiron që presidenca të ketë personalitet juridik e sidomos nuk është dakord që Karta evropiane e të drejtave të jetë e detyrueshme për shtetet. Hollanda kërkon më shumë pushtet për parlamentet kombëtare, se sa për atë evropian. Pra, gjetja e një konsensusi do të jetë shumë e vështirë. Duket se projekti kushtetues nuk është kuptuar nga njerëzit, është larg kërkesave kulturore të vendeve të veçanta, të cilat janë më të lidhura me identitetin kombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.