(21.07.Sot Kisha katolike përkujtoi njërin nga shenjtorët më të njohur: Shën
Luigj Gonzagën Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias
e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha
Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri
mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretërshës Elizabeta.
Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllaut, Rudolfit, dhe më 5
nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e
kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit. Një ditë, ndërsa
shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi
mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. Iu ngjit, kështu sëmundja, që do ta çonte
në vdekje. Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Ishte vetëm 23 vjeç. Mbetet model
i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike. Prandaj dje, duke kujtuar
festën e sotme në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI e paraqiti shenjtin si shembull
mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i ftoi të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë
për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, i vetmi që mund t’i bëjë të aftë ta përballojnë
seriozisht jetën. E më pas, duke iu drejtuar të sëmurëve të pranishëm në audiencë,
Papa i porositi: “Ky shenjt i ri ju ndihmoftë për t’i shndërruar vuajtjet e provat
e përditshme në raste të çmuara bashkëpunimi me Zotin për shpëtimin e shpirtrave”.