2007-06-20 18:16:51

Tmerr në një jetimore në Irak


(20.06.2007 RV)Dhuna vazhdon ta mbërthejë Irakun në darën e vet. Bilanci i atentatit të djeshëm kundër një xhamie në Bagdad arriti në 87 të vrarë e 242 të plagosur, ndërsa janë hedhur në erë tri xhami të tjera në veri të Hillës. Burime amerikane kanë njoftuar se gjatë ofensivës ushtarake kundër terroristëve të Al Kaidës janë vrarë 30 vetë.
Ndërkaq, shkakton tmerr gjendja në të cilën ndodheshin fëmijët e një jetimoreje, zbuluar nga forcat ushtarake të SHBA-ve. Fëmijë të ushqyer keq, të lidhur pas shtretërve, të mbyllur lakuriq në dhoma pa dritare, disa të mbuluar nga mizat sa dukeshin pa jetë, ndërsa nga ana e zyrave administrative një rregull për t’u pasur zili, me dollape plot me veshje e rezerva ushqimore. Fëmijët janë tani nën kontrollin e mjekëve ushtarakë, ndërsa kryeministri irakian Al Maliki ka premtuar të dënojë përgjegjësit e kësaj gjendjeje.
Nga ana tjetër, një grup studentësh e profesorash të krishterë është rrëmbyer sot në rrugën që çon nga Mosuli në Karakosh, shenjë e qartë se persekutimi kundër të krishterëve vazhdon. Gjithsesi, ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni është shprehur kundër krijimit të një enklave për të krishterët në kufi me Kurdistanin, sipas një plani qeveritar që parashikon zhvendosjen e të krishterëve në Pllajën e Ninives.

Në Turqi, kryeministri Erdogan ka deklaruar se qeveria e Ankarasë është gati të autorizojë, në rast nevoje, operacione ushtarake në Kurdistanin irakian kundër rebelëve të Partisë Komuniste Kurde. Sipas vëzhguesve, separatistët kurdë irakianë kanë kryer disa aksione terroriste në Turqi. Qeveria turke ka frikë gjithashtu edhe nga referendumi mbi statusin e qytetit të pasur naftëmbajtës irakian, Kirkuk. Nëse ai bëhet autonom, Ankaraja mendon se edhe separatistët kurdë në Turqi do të krijojnë probleme.


Ushtria izraelite ka ndërmarrë sot një aksion ushtarak në veri të Rripit të Gazës. Ushtarët izraelitë kanë qëlluar për vdekje gjashtë palestinezë të dyshuar si terroristë. Po sot, Tel Avivi deklaroi se do t'i lejojë të vendosen në Izrael rreth 200 palestinezët, që largohen nga Rripi i Gazës, për shkak se ai kontrollohet nga Hamasi. Gjithashtu, për herë të parë, folën në telefon kreu i ri i qeverisë palestineze Fajad me ministrin e jashtëm izraelit, Livni.







All the contents on this site are copyrighted ©.