Kalendari i 20 qershorit përkujton Shën Silverin papë e martir.
(20.06.2007 RV)Jetën e papës shenjt
Silverit mund ta tregojmë me dy fjalë: me origjinë nga Kampanja, iu desh të përballonte
tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre viteve, u burgos e
u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq. Por sa ngatërresa, vuajtje e poshtërime
fshihen pas këtyre pak fjalëve. Ishte bir i një pape tjetër shenjt, Ormisdës,
i zgjedhur pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur i vejë. Ndërsa
Silveri u ul në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostantinopojë më
22 prill 536. Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua, pa dashur,
në luftërat politike e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin e së cilës
ndesheshin me armë Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria e grupeve
të monofizitëve, që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur nga perandoresha
Teodora. Kujtojmë se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin 451 nga Koncili
i Kalçedonisë, ishte shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të Sirisë. Pak
kohë pas fillimit të papnisë së Silverit, mbrojtësi i tij, Teodati, u rrëzua nga froni
e u mbyt nga gotët. Te portat e Romës u dukën ushtritë ostrogote, që rrethuan qytetin.
Filloi, nën ndikimin e fortë të Bizantit, lufta për pushtimin e Romës e të fronit
papnor, që përfshiu gjithë klerin e kishës universale. Papa u akuzua se donte ta dorëzonte
Romën në duart e armikut, i cili nisi një sulm të rrebtë kundër mureve të qytetit
të rrethuar. Silverin e kapën, e zhveshën nga rrobat e papnisë e e veshën si murg
të thjeshtë. Në vend të tij zgjodhën Vigjilin (537-555), ndërsa Silverin e internuan
në Patara të Liçies. Ipeshkvi i vendit, i revoltuar për këtë ndërhyrje të turpshme
të mbretërve në çështjet e fronit të Shën Pjetrit, shkoi në Kostantinopojë, ku protestoi
pranë Perandorit Justinian, duke pohuar se në botë mbretër ka sa të duash, po papa
është një i vetëm e mbretërit nuk kanë kurrfarë të drejte ta dëbojnë nga froni, besuar
nga vetë Krishti Kryetarit të Apostujve e pasardhësve të tij. Perandori, i trembur,
e ktheu Silverin në Romë me qëllim që t’i njihej pafajsia, gjë që shkaktoi reagimin
e papës Vigjili, i cili jo vetëm që nuk e shfajsoi Silverin por, më 11 nëntor të vitit
537, e detyroi të abdikonte dhe e internoi në ishullin Palmaria (Ponca e sotme), ku
vdiq nga torturat e nga uria më 2 dhjetor 538. Trupi i Silverit nuk u mbart në
Romë, siç ngjiste zakonisht me reliket e papëve të vdekur në internim, por mbeti në
ishull, ku varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimesh e mrekullish, që nisen të dokumentohen
duke nisur nga shekulli XI. Të dy papët e shenjtë, Ormisda e Silveri, atë e bir në
jetë, janë pajtorë të vendlindjes së tyre, Frozinones.