2007-06-20 17:29:29

Figura e Shën Atanasit, kundërshtar i herezisë ariane, në qëndër të audiencës së përgjithshme të Benediktit XVI, që bëri thirrje për t’i ndihmuar refugjatët.


(20.06.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite dhjetra mijëra shtegtarët që ishin mbledhur në Vatikan për audiencën e përgjithshme u ndanë në dy grupe. Ati i Shenjtë përshëndeti, së pari, grupin e mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit e pastaj shkoi në Sallën e Palit VI, ku mbajti katekizmin, kushtuar një dëshmitari tjetër të madh të krishterimit: Shën Atanasit, ipeshkëv i Aleksandrisë. Papa e përfundoi audiencën duke bërë thirrje për t’i ndihmuar refugjatët e mbarë botës, në përkim me Ditën e tyre botërore, që u kremtua sot.
Në botën e sotme, mbi të cilën ndikon fuqimisht relativizmi fetar dhe etik, koherenca ndaj mesazhit të Krishtit, e palëkundur përballë sulmeve e mënjanimeve, është vlerë, që mishërohet prej dy mijë vjetësh në jetën e Shenjtorëve. Një prej tyre është padyshim Shën Atanasi i Aleksandrisë, që jetoi në fillimet e shekullit IV e që Papa e paraqiti sot si një nga etërit më të rëndësishëm e më të nderuar të Kishës së lashtë e jo më pak, si model ortodoksie. Shtegtarëve të shumtë, që për shkak të vapës së madhe të këtyre ditëve në Romë, e ndoqën audiencën në Sallën e Palit VI e në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI u rikujtoi jetën e Shën Atanasit, simbol i vështirësive që goditën Kishën e kohëve të para e i guximit me të cilin një numër i madh dëshmitarësh mbrojti kauzën e Ungjillit. Posaçërisht Atanasi – kujtoi Benedikti XVI – qe kundërshtari më i rëndësishëm e më i fortë i herezisë ariane, që asokohe kërcënonte fenë në Krishtin, duke e bërë në asgjë hyjninë e tij, sipas një prirjeje – komentoi Papa – që vijon në histori e që shfaqet, në mënyra të ndryshme, edhe në ditët tona. Koncili i vitit 325 në Nike, në të cilin mori pjesë edhe Atanasi i ri, ripohoi se Jezusi, Biri, ka të njëjtën natyrë me Hyjin Atë. E pikërisht nga ky parim u nis Atanasi për të luftuar ashpër herezinë e për të predikuar të vërtetën:
“Ideja kryesore e gjithë luftës teologjike të Shën Atanasit qe se Hyji është i arritshëm. Nuk është Zot i dorës së dytë, është Zot i vërtetë, e përmes bashkimit tonë me Krishtin, ne mund të bashkohemi realisht me Hyjin. Ai u bë me të vërtetë ‘Hyj me ne’. Po, vëllezër e motra! Kemi shumë arsye për t’i shprehur mirënjohjen tonë Shën Atanasit. Jeta e tij, si ajo e Shëna Ndout e e shumë shenjtorëve të tjerë, na tregon se kush ecën në rrugën e Zotit, nuk largohet nga njerëzit, por u qëndron vërtetë pranë”.
Beteja kundër Arios, i cili gjeti mbështetje nga rrethana jashtëkishtare, i kushtoi një internim të gjatë Shën Atanasit, i cili në këtë periudhë u afrua me monakizmin. E ky aspekt - kujtoi Benedikti XVI – i dha famë të re ipeshkvit mërgimtar, që u bë mik i vetmitarit të madh aq, sa të shkruante biografinë e tij, të cilën Papa Racinger e quajti ‘best seller të letërsisë së lashtë kristiane’. “Jeta e Shëna Ndout”, ky është titulli i veprës – pohoi Ati i Shenjtë - luajti një rol të dorës së parë për përhapjen e monakizmit në Lindje e në Perëndim. Ndonëse eremitët, siç shkroi Atanasi, jetojnë të vetmuar e dëshirojnë të mbetetn të fshehur - tha Papa duke cituar Shenjtin, gjithsesi:
Zoti ua tregon të gjithëve si pishtarë, në mënyrë që ata të cilët dëgjojnë të flitet për ta, ta dinë se është e mundur të ndiqen urdhërimet e të marrin zemër për të ecur në rrugën e virtyteve”.
E një rrugë të tillë Benedikti XVI e shikoi si rrugë solidariteti e ndihme, kur bëri një thirrje të fuqishme me rastin e Ditës botërore të refugjatit, themeluar nga OKB-ja: “T’i mirëpresësh refugjatët e t’u sigurosh strehë është gjest solidariteti njerëzor, që u takon të gjithëve, në mënyrë që ata të mos e ndjejnë veten të izoluar për shkak të intolerancës e të mungesës së interesimit ndaj fateve të tyre. Por për të krishterët është diçka më shumë: është mënyrë konkrete për të shprehur dashurinë ungjillore. Uroj me gjithë zemër që këtyre vëllezërve e motrave, të vënë në provë të rëndë, t’u sigurohet strehimi dhe t’u njihen të drejtat – vijoi Ati i Shenjtë – dhe më pas i ftoi prijësit e kombeve t’i mbrojnë të gjithë ata që ndodhen në situata të tilla, kaq delikate”.
Në përfundim, si përshëndeti në mënyrë të posaçme delegacionin e Parlamentit të Federatës Ruse, kapelanët e Urdhërit Ushtarak të Maltës dhe si kujtoi shembullin e jetës së pastër ungjillore të Shën Luigj Gonzagës, që do të kremtohet nesër, Benedikti XVI përfundoi, duke folur në gjuhën polake, me një urim kushtuar të rinjve, që po fillojnë pushimet verore:
“Uroj që kjo kohë pushimi t’ju afrojë edhe më shumë pranë Hyjit e të ktheheni nga pushimet të pasuruar e të zbukuruar shpirtërisht. Të gjithë të pranishmëve, familjeve tuaja, fëmijëve e të rinjve, një bekim të dalë nga zemra. Qoftë lavdëruar Jezu Krishti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.