2007-06-20 18:12:40

Dita Botërore e Refugjatit: gjendja në Shqipëri


(20.06.2007 RV)RealAudioMP3 U kremtua sot Dita Botërore e Refugjatit, në një situatë kur numri i refugjatëve në botë është rritur relativisht, sipas statistikave të Komisariatit të OKB-së për Refugjatët, dhe kur të drejtat e azilantëve dhe të atyre që kërkojnë strehim politik nëpërkëmben. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun deklaron në mesazhin e sotëm se “personat që largohen nga toka e vet kanë nevojë për strehim dhe mbrojtje juridike”, por ashpërsimi i politikave të emigracionit në vendet e pasura të botës nuk merr parasysh vuajtjen e tyre.
Historitë më dramatike të rreth 10 milion refugjatëve në botë fillojnë në Irak, Afganistan, Sudan e Somali. Njerëz, që të shtyrë nga luftëra, varfëri, fatkeqësi natyrore lënë mbrapa shtëpinë dhe të dashurit e tyre me shpresën e një jete më të mirë. Sot, Komisariati i OKB-së për Refugjatët flet për intolerancë ndaj tyre, një sjellje ksenofobe që i mënjanon ata nga shoqëria dhe e bën të vështirë integrimin në vendin pritës.
Ndarja ndërmjet refugjatit dhe emigrantit është bërë shumë e vështirë, në një kohë kur edhe fatkeqësitë natyrore, edhe mundësia për të mos jetuar denjësisht në vendin e vet, do t’u jepte njerëzve të drejtën të kërkonin strehim në një vend tjetër, siç kanë theksuar gjithnjë etërit jezuitë me Shërbimin e tyre ndaj Refugjatëve. Po të marrim rastin e Shqipërisë, rreth 30% e popullsisë është larguar nga toka amtare, sipas një studimi të Organizatës Botërore për Migracionin në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Shumica e atyre që duan të emigrojnë i përkasin moshave 20-24 vjeç dhe 15-17 vjeç. A do të vijë dita që Shqipëria të ankohet për mungesën e rinisë, e pra edhe të krahëve të punës, apo të inteligjencës së shkolluar? Qeveria shqiptare, për momentin, i ka kushtuar rëndësi vetëm hartimit të një politike që të rregullojë flukset e emigracionit drejt vendeve fqinje e tani po mendon për mbrojtjen shoqërore të emigrantëve shqiptarë kudo nëpër botë. Natyrisht, përgjigjia ndaj pyetjes që shtruam vjen me një politikë të qëndrueshme për thithjen e kuadrove që studiojnë jashtë shtetit dhe me krijimin e kushteve për kthimin e emigrantëve, por deri tani largpamësia e politikanit shqiptar nuk shkon më gjatë se legjislatura në të cilën është zgjedhur.







All the contents on this site are copyrighted ©.