2007-06-19 17:40:41

Vidhet këmbana në Shkodër. 200 milion të krishterë në botë në rrezik persekutimi.


(19.06.2007 RV)Këmbana 100-vjeçare e Kishës së Samërishtit në Shkodër, e cila u ruajt me fanatizëm nga banorët përgjatë diktaturës komuniste, është vjedhur para tri ditësh nga persona ende të paidentifikuar. Shtypi shqiptar sqaron se hajdutët kanë shfrytëzuar momentin e rindërtimit të kishës, për të grabitur objektin e kultit prej bronzi dhe hekuri. Ngjarja ka indinjuar banorët e këtij fshati, të cilët për të ruajtur këmbanën shpërfillën rrezikun e persekutimit dhe të burgosjes, në kohën kur as nuk mund të flitej për rite fetare dhe feja konsiderohej si “opium për popullin”. Sipas fshatarëve, kambana me peshë 100 kilogramë është vjedhur për t’u shitur. Policia po punon për gjetjen e saj e për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

200 milion të krishterë në 60 vende të ndryshme të botës janë në rrezik persekutimi. Sipas një raporti të Shërbimit sekret britanik, në Sudan, për shembull, “janë masakruar mijëra të krishterë dhe qeveria fondamentaliste islamike ka bërë pak për t’i mbrojtur”. Edhe në Irak gjendja është e rëndë. Të krishterët nuk kanë milici të tyre, ndërsa fraksionet shiite dhe sunite i akuzojnë se bashkëpunojnë me “kryqtarët” amerikanë. Gjatë vitit të fundit, edhe në Pakistan janë vrarë rreth 70 të krishterë. Në Turkmenistan, Uzbekistan e Taxhikistan, të krishterët ortodoksë konsiderohen si të huaj të lidhur me kolonializmin e, predikatarë nën influencën e Al Kaidës kërkojnë largimin e tyre nga vendi. Jo më mirë trajtohen të krishterët aty ku komunizmi i ka akoma rrënjët e forta. Në Korenë e Veriut janë çuar në kampe pune të detyruar mëse 50 mijë të burgosur të krishterë, ndërsa në Kinë, 40 mijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.