2007-06-19 18:12:26

U publikua tema e Ditës botërore të paqes 2008: “Familja njerëzore: bashkësi e paqes”.


(19.06.2007 RV)RealAudioMP3 “Perceptimi i fatit të përbashkët dhe i përvojës së bashkimit, janë faktorë themelorë për realizimin e së mirës së përgjithshme dhe për paqen e njerëzimit”. Kjo bindje – njofton nota, me të cilën paraqitet Dita botërore - e shtyu Benediktin XVI të zgjidhte temën aktuale, në përkim të plotë me pohimin e Koncilit II të Vatikanit, sipas të cilit “të gjithë popujt formojnë një bashkësi të vetme e kanë një zanafillë të vetme, sepse Hyji e bëri mbarë gjininë njerëzore të banojë mbi faqe të tokës”. Prej këndej, çdo grup duhet t’i ketë parasysh nevojat dhe aspiratat e ligjshme të grupeve të tjera, madje, të mirën e përbashkët të mbarë familjes njerëzore. Në se dinjiteti i personit, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, iu zbulua njeriut që në Besëlidhjen e Vjetër, uniteti i gjinisë njerëzore është një nga të vërtetat më origjinale të krishtërimit.Prandaj tema “Familja njerëzore: bashkësi e paqes” – vijon nota – zhvillon në mënyrë koherente reflektimin e propozuar nga Benedikti XVI në mesazhet për kremtimin e Ditës botërore të paqes 2006: “Paqja gjindet në të vërtetën” e në atë të vitit 2007 “Njeriu është zemra e paqes”. Të pranosh unitetin e familjes njerëzore – përfundon nota – është më shumë se kurrë providenciale në çastin aktual historik, që karakterizohet nga kriza e organizatave ndërkombëtare dhe nga prania e shqetësimeve të rënda në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Çdo njeri e çdo popull – ky është urimi përfundimtar që buron nga tema e Ditës – është i thirrur të jetojë e ta ndjejë veten pjesë përbërëse e Familjes njerëzore, të konceptuar nga Hyji si bashkësi e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.