2007-06-19 17:45:37

Ahtisari: Rusia do të përdorë veton e Kosova do të vetëshpallet e pavarur


(19.06.2007 RV)Në një intervistë për televizionin finlandez YLE, kryenegociatori për Kosovën, Marti Ahtisari cakton rrugën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, si mënyrë përcaktimi për statusin e Kosovës. Ai mendon se pavarësia do të njihet brenda vitit 2007 nga SHBA-të dhe disa shtete evropiane. Ahtisari nuk ka dyshim se Rusia do të përdorë veton kur çështja do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkaq, nga Greqia ku ka takuar homologen Dora Bakojanis, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç deklaron se qeveria e Beogradit është gati të ulet në një tryezë bisedimesh për t’i dhënë Kosovës autonominë më të zgjeruar që është e mundur, por jo pavarësinë. Idetë e reja përfshihen në një plan, që Serbia i ka dorëzuar Rusisë dhe që do të bëhet i njohur së shpejti. Këto ide u shprehën një ditë pas qëndrimit të kryeministri kosovar Agim Çeku, i cili përjashtoi mundësinë e bisedimeve të reja me Serbinë dhe të ndryshimeve në planin e Ahtisarit.


Karla del Ponte, kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës ka bërë një raport pozitiv për marrëdhëniet me Serbinë në Këshillin e Sigurimit dhe ka kërkuar që të shtyhet vendimi për statusin e Kosovës. Sipas Del Pontes, caktimi i tanishëm i statusit do të kompromentonte përpjekjet e bëra për të përmirësuar bashkëpunimin me Beogradin.
Ndërkaq, gjenerali i policisë serbe, Vlastimir Gjorgjeviç doli sot para Gjykatës së Hagës, por fitoi kohë duke kërkuar 30 ditët që i takojnë me ligj për të gjetur një avokat mbrojtës. Gjorgjeviç akuzohet për krime kundër njerëzimit, që kanë të bëjnë me urdhërat e dhëna prej tij për vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë në vitet 1998-99.







All the contents on this site are copyrighted ©.