(18.06.2007 RV)Për jetën e Shën Marinës, e cila kremtohet sot, të dhënat janë
të tilla, që na krijonë vështirësi për ta dalluar nga tri Marina të tjera: Shën Marina
e Antiokisë, martire (kremtohet më 20 korrik), Shën Marina Orense (më 18 korrik) dhe
e Lumja Marinë e Spoletos, që gjithashtu kremtohet më 18 qershor. Ndërsa, për
disa aspekte të tjera, Shën Marina ka tërhequr në çdo kohë vëmendjen e hagjiografëve,
aq sa është krijuar një grumbull me dokumente në më se dhjetë gjuhë lindore e perëndimore,
që përkojnë e s’përkojnë, në përpjekjen për të gjetur të vërtetën historike mbi jetën
e shenjtores. Shtete të ndryshme, ku u përhap devocioni i shenjtes, bënë përpjekje
për të vërtetuar se kishte lindur në trojet e tyre. Prandaj për të herë thuhet se
lindi në Egjipt, herë në Traki, pastaj në Bitini, në Sicili e në Liban. Duket se lindja
në Liban është varianti më i besueshëm, e se data e lindjes duhet të jetë diku ndërmjet
ditëve të shekullit V. Në rrëfimin mbi jetën e shenjtes gjejmë shumë përkime me
shenjtore të tjera, si Shën Apolinaria, Atanasia, Anastasia, Eufrozina, Eugjenia e
Teodora, që u ndodhën pak a shumë në situatën e saj. Historia e jetës së Shën
Marinës është aq interesante, sa mund të shërbejë si subjekt për filma e për vepra
dramatike. E deshi aq shumë të jatin sa, kur ky mbeti i vejë e nisi të kërkonte një
mbështetje të sigurtë, në ato kohë të trazuara, për të mos e lënë vetëm, u vesh si
burrë e ndërroi edhe emrin. E quajti veten Marin. Pas vdekjes së babait, gjithnjë
e veshur si burrë, hyri në një kuvend rregulltarësh. Por një ditë iu desh të shoqëronte
një grup murgjërish, që ishin nisur për rrugë të largët. Kur grupi u ndalua të flinte
në një han, e bija e hanxhiut, që kishte mbetur shtatzënë me kush e di se kë, paditi
pikërisht murgun Marin si baba i foshnjës. Hanxhiu, i tërbuar, shkoi menjëherë të
kërkonte nderin e së bijës tek egumeni i kuvendit. Marina nuk bëri asnjë përpjekje
për t’u shfajsuar. Natyrisht u flak menjëherë jashtë kuvendit e, pas lindjes së fëmijës,
e detyruan ta mbante. Po me se? Ajo s’kishte gjë prej gjëje. Ushqehej me lëmoshë e
flinte ku mundte, gjithnjë në rrethinat e kuvendit, duke qarë me lot e duke bërë pendesë
për një mëkat që s’ishte i saji. Egumeni, i prekur thellë nga pendesa e asaj,
që ai e dinte murg, pas tri vjetësh e pranoi rishtas në kuvend, ku e jetoi në mënyrë
shembullore jetën në bashkësi. Pak kohë më pas, Marina-Marin vdiq. Përfytyrojeni
habinë e murgjërve kur, duke e veshur për së vdekuri, panë se ishe femër e kuptuan
se kishte jetuar një jetë të tërë si fajtore pa faj, duke duruar gjithçka e duke iu
nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit. Shumë Kisha lindore nisën ta përkujtonin
në ditë të ndryshme në kalendaret e tyre: Martiriologu Romak e kujton më 18 qershor
e po në këtë datë edhe në Paris nderohet Shën Marini-Marina.Emri vjen nga latinishtja,
Marinus, njeri i detit, por mendohet se mund të vijë edhe nga Marius (Mario). Shumë
i përhapur në Itali e në Francë, përdoret edhe në formën përkëdhelëse Marinela.