2007-06-18 16:46:27

Në përfundim të vizitës baritore në Asizi, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë: ‘Hapjani portat Krishtit, pa frikë, e pa llogaritje’.


(18.06.2007 RV)RealAudioMP3 Përfundoi mbrëmë, me një përqafim jashtzakonisht të ngrohtë të Papës me të rinjtë, vizita baritore e Benediktit XVI në Asizi. Ishte një ditë e gjatë, e ngarkuar me veprimtari, në gjurmët e Shën Françekut e të Shën Kjarës, që pati si temë kryesore atë të kthimit në rrugën e Zotit. “Shko, Françesk, e ma ndreq shtëpinë!”- ky mision, besuar Shenjtit nga i Kryqëzuari i Shën Damianit u theksua, gjatë të gjitha takimeve të kësaj vizite të shkurtër, por të ngarkuar me veprimtari baritore të Atit të Shenjtë në Asizi e, sidomos gjatë takimit përfundimtar me dhjetë mijë të rinj, që ishin grumbulluar që në mëngjes heret para Bazilikës të Shën Marisë së Engjëjve, ku ndodhet edhe Porciunkola. E pikërisht në këtë takim, në të cilin u krijua menjëherë një atmosferë tepër e ngrohtë reciproke ndërmjet të rinjve e Atit të Shenjtë, arriti kulmin vizita e Papës në qytetin e Shën Françeskut. Ja disa nga pyetjet që i drejtuan të rinjtë Papës.
Marko:
“Kemi mijëra pyetje, por nuk e kemi të lehtë të gjejmë përgjigjet bindëse e shpesh na tundon mendimi se e vërteta nuk ekziston fare e se secili ka të vërtetën e vet. Natyrisht, na pëlqen të jemi të gëzuar, por edhe ne e ndjejmë se dëfrimi nuk të bën të lumtur. Na ndihmo, Atë i Shenjtë, ta kuptojmë e ta provojmë përvojën e Shën Françeskut”.
Ilaria:
“Atë i Shenjtë, Françesku na tërheq, por nuk është e lehtë ta ndjekësh, t’i përngjash. Jetojmë në një shoqëri që duket gjithnjë më e varfër në vlera njerëzore e shpirtërore. Shumë nga bashkëmoshtarët tanë e djegin tepër shpejt jetën, në sa nuk kanë mësuar akoma ta duan. Duke parë Françeskun, kemi mall për diçka më të mirë, por nuk arrijmë ta kuptojmë përnjëherësh cila është kjo e mirë. Urojmë të na ndihmojë lutja e Françeskut para Kryqit të Shën Damianit: ‘O i larti e i lumnueshmi Zot, ndriçoje errësirën e zemrës sime sot!”(FF 276). Atë i Shenjtë, na ndihmo ta duam Jezusin, ashtu si e deshi Shën Françesku. Në emër të të gjithë të pranishmëve, ju përqafoj e ju falënderoj!”.
E pavarësisht nga lodhja e ditës së djeshme, gjatë së cilës përshkoi pothuajse të gjitha viset që lidhen me Shën Fraçeskun e Shën Kjarën, duke nisur nga vizita e shkurtër në Kishëzën e vogël, dikur shtëpia e të gërbulurve të Asizit, në Kishën e Shën Damianit, ku i Kryqëzuari i foli Shenjtit, në Kishën e Shën Kjarës, ku ruhet Kryqi origjinal i Shën Damianit e në Bazilikën e Shën Françeskut, ku ruhen reliket e varfanjakut e ku kremtoi Meshën shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, pa harruar takimin e pasdites me klerin e rregulltarët në Kishën Shën Rufinos, Papa e përballoi me emocion të thellë e me gëzim të madh takimin me të rinjtë, duke u shkëputur disa herë nga fjalimi i shkruar, për t’u thënë të rinjve fjalët e pashkruara, fjalët që i buruan nga zemra, për shkak të të cilave, takimi u zgjat një gjysëm ore më shumë sesa ishte parashikuar. E kjo, sepse pyetjet që i bënë të rinjtë, meritonin të merrnin përgjigje të vërteta baritore.
“Shën Françeku u flet të gjithëve, por e di se ju të rinjtë ju tërheq në mënyrë të veçantë. Ma tregon këtë prania juaj në këtë takim, ashtu si dhe pyetjet që më bëtë. Kthimi i Shën Françeskut ndodhi kur ai ishte në kulmin e gjallërisë, të dëshirave, të ëndrrave. Kishte mbushur njëzet e pesë vjet, pa arritur ta gjejë të vërtetën e jetës. Pak muaj para se të vdiste, do ta rikujtonte këtë periudhë, si kohë kur ishte ‘akoma në mëkat”.
Benedikti XVI ua paraqiti të rinjve Françeskun e Kjarën si modele që meritojnë të ndiqen, në përpjekjen për të përballuar kurthet e ëndjeve kalimtare dhe problemet që shpesh e trazojnë thellë jetën e të rinjve. Shumë të rinj – kujtoi Papa - bien viktima të drogës, në kërkim të lumturisë artificiale, ose dredhojnë rrugë, duke rënë pre e një kulture që i thur himne egoizmit. Këtë dramë– vijoi të shpjegonte Papa – e provoi edhe Shën Françesku para se të niste rrugën e kthimit, duke përqafuar të gërbulurin. Nuk ishte thjeshtë kthesë shoqërore, por përvojë e plotë fetare, e komanduar nga hiri e nga dashuria e Hyjit. Busulla e jetës suaj – i porositi të rinjtë Ati i Shenjtë, duke u larguar nga teksti zyrtar – duhet të jetë e vërteta, sepse pa të vërtetën, humbet edhe baza e paqes së përbashkët:
Nën shenjën e lutjes duhet parë edhe impenjmi i Shën Françeskut për paqen, Ky aspekt i jetës së tij është tepër aktual, në një botë që ka shumë nevojë për paqe e nuk arrin ta gjejë rrugën që të çon tek ajo. Françesku ishte njeri i paqes e veprimtar i paqes. Këtë e dëshmon edhe kur, plot butësi, por pa heshtur kurrë për fenë e tij, takohet me njerëz të feve të tjera, siç ishte edhe takimi i tij me sulltanin” (cfr 1 Cel. I, 20, 57: FF 422).
E tema e paqes, së bashku me temën e kthimit në rrugën e Zotit, ishte një nga temat kryesore të këtij shtegtimi të ndikuar disa herë nga shpirti i Asizit. Në çastin e lamtumirës, kur përgatitej për t’u nisur drejt Romës, Benedikti XVI u la të rinjve ‘të tij’ takim në Shtëpinë Shenjte të Loretos, në ditët e para të shtatorit, për Agoranë e të rinjve.
 “Hapjani portat Krishtit!” Hapjani, siç bëri Françesku, pa frikë, pa llogaritje, pa masë. Të jeni, të dashur të rinj, gëzimi im, siç ishit për Gjon Palin II”.







All the contents on this site are copyrighted ©.