2007-06-17 17:41:01

Në gjurmët e Shën Françeskut, Papa shtegtar në Asizi, në 800-vjetorin e kthimit të Shenjtit, bën thirrje për paqe në mbarë botën.


(17.06.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI arriti me helikopter në fushën sportive të Rivotortos, ku kishin dalë për ta pritur kryeministri italian, Romano Prodi dhe Nunci apostolik në Itali, imzot Gjuzepe Bertelo, së bashku me autoritetet civile e kishtare vendase. Nisi kështu, vizitën, pas tetë shekujsh, në këto vende të përshpirtshme që e panë Shën Françeskun e ri duke u nisur nga Krishti, për të arritur në zemrën e mesazhit të krishterë e në rrënjët e jetës njerëzore. Është i 17-ti papë që viziton Asizin. Papa i parë, që u lut te Varri i Shenjtit të paqes e mirësisë më 18 maj 1392, ishte Benedikti XI; i fundit, Gjon Pali II, që e vizitoi 6 herë Qytezën françeskane, duke nisur nga 5 nëntori i vitit 1978. Ndërsa për Benediktin XVI ishte vizita e parë në viset e Shën Françeskut, që filloi me ndalesën në kishën e Shën Marisë së Rivotortos. Më pas Papa vizitoi Bazilikën e Shën Kjarës, ku u gjunjëzua para të Kryqëzuarit të Shën Damianit dhe u takua me rregulltaret klarise. Hyrjen e Papës, të prirë nga një radhë e gjatë meshtarësh, në Sheshin e Bazilikës së poshtme, ku kremtoi Meshën Shenjte në praninë e mijëra besimtarëve, e përshëndetën të gjitha këmbanat e qytetit, që nisën të tingëllojnë përnjëherësh, duke krijuar një atmosferë prekëse festive. Ati i Shenjtë theksoi menjëherë takimin e lutjes për paqe, kremtuar në Asizi në vitin 1986, me intutitën profetike të Gjon Palit II e, duke kujtuar këtë frymë që vijon të ndjehet fort në këtë vend, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, përsëriti thirrjen të pushojnë të gjitha konfliktet e armatosura që gjakosin tokën, sidomos Tokën Shenjte:
“I ndjejmë shpirtërisht këtu pranë të gjithë ata që qajnë, që vuajnë, që vdesin për shkak të luftës e të pasojave të saj tragjike në të katër anët e botës. Mendimi ynë shkon posaçërisht në Tokën Shenjte, aq të dashur nga Shën Françesku, në Irak, në Liban, në mbarë Lindjen e Mesme. Popullsitë e këtyre viseve e njohin mirë, prej shumë kohe, tmerrin e luftimeve, të terrorizmit, të dhunës së verbër, të shpresës së kotë se forca e armëve mund t’i japë fund konflikteve, të refuzimit për të dëgjuar arsyet e tjetrit e për t’i dhënë hakun”.
Në homelinë e Meshës, kremtuar në Sheshin e Bazilikës së Shën Françeskut, të ndriçuar nga një diell i nxehtë veror, Benedikti XVI kujtoi disa herë ‘Shpirtin e Asizit’ i cili, nga takimi i lutjes së përfaqësueve të konfesioneve të krishtera e të feve të ndryshme, vijon të përhapet në mbarë botën, duke iu kundërvënë ‘shpirtit të dhunës e të shpërdorimit të fesë si pretekst për dhunën’. Asizi – shpjegoi Ati i Shenjtë, duke vijuar të kujtojë mësimin e Shën Françeskut, na thotë se besnikëria ndaj bindjeve fetare shprehet përmes respektit të sinqertë për të afërmin, permes dialogut, impenjimit për paqen e pajtimin. Jeta dhe mesazhi i Shën Françeskut - vijoi të shpjegonte Benedikti XVI – mbështeten aq dukshëm tek Krishti, sa të shtyjnë të mposhtësh menjëherë çdo tundim të indiferentizmit fetar, që s’ka të bëjë fare me dialogun ndërmjet feve:
”Nuk mund të jetë sjellje ungjillore e as françeskane, ajo që nuk arrin të bashkojë mirëpritjen, dialogun e respektin për të gjithë, me bindjen fetare, të cilën çdo i krishterë, njëlloj si Françesku i Asizit, duhet ta kultivojë, duke kumtuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës, si rruga, e vërteta e jeta e njeriut“.
Gjithë homelia pati si temë kryesore pendesën, shpjeguar përmes tri figurave qëndrore të leximeve të sotme liturgjike: asaj të Davidit, nga Besëlidhja e Vjetër, të Françeskut nga shtegtimi i sotëm, e të Shën Palit, nga Letra drejtuar Galatasve. Pendimi e kthesa e njeriut, temë shumë e dashur për Papën, u theksua me forcë të veçantë në 800-vjetorin e kthimit të Shën Françeskut:
“Njeriu është vërtetë madhështi e asgjë. Është madhështi, sepse shembëlltyrë e Zotit e objekt i dashurisë së Tij, e është asgjë, sepse mund ta përdorë keqas lirinë dhe privilegjin e vet, duke arritur deri atje, sa t’i kundërvihet edhe Atij që e krijoi”.
Të njëjtën gjë thekson Shën Françesku në Testamentin e tij, në kohën kur ishte mëkatar, dmth – siç e konceptoi Papa – kur vlerësonte vetëm vetveten, duke kërkuar më kot lumninë tokësore. Që në çastin kur u ndriçua nga hiri hyjnor, Shën Françesku nisi t’i shikojë me mëshirë të gërbulurit, duke ndjerë sesi hidhërimi po i shndërrohej në një ëmbëlsi të pashoqe në korp e në shpirt, sepse njeriu realizohet plotësisht në atë masë, me të cilën jeton me Zotin e në Zotin, duke e pranuar e duke e dashur ndër vëllezërit.
Duke komentuar pastaj Ungjillin sipas Lukës, në të cilin flitej për gruan mëkatare, të shfrytëzuar e të gjykuar nga shumë njerëz, së cilës Krishti ia fali mëkatet, Papa theksoi:
“Mëshira e Jezusit nuk shprehet duke e venë ligjin moral ndër kllapa. Për Krishtin ‘e mira është e mirë e e keqja, e keqe’. Mëshira nuk e ndryshon cilësinë e mëkateve, por i djeg në zjarrin e dashurisë. Kjo realizohet në se njeriu, nën ndikimin e dashurisë, njeh ligjin e Zotit, në se pendohet sinqerisht e në se fillon një jetë të re, gjë që ndodhi me Shën Françeskun, i cili nisi ta ndjekë Krishtin me dëshirën për t’u shndërruar në një tjetër Krisht, duke u bërë shembull për të gjithë”- tha Papa në përfundim të homelisë. Pas drekës në Kuvendin kishtar me ipeshkvijtë e Umbries, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Prodi, Benedikti XVI shkoi në Bazilikën e epërme të Shën Françeskut, ku e përshëndetën anëtarët e Kapitullit të përgjithshëm të Urdhërit të fretërve të vegjël konventualë.







All the contents on this site are copyrighted ©.