2007-06-16 16:18:31

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(17.06.2006 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XI të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. Kujtoi edhe shenjtorët Vlashi e Diogjeni, martirë.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Markut e Marçelianit, martirë romakë dhe e Shën Marinës. Na kujtojnë se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.
Liturgjia e së martes na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Është festa e Shën Romualdit, abat, themelues i Kamaldolezëve, e Shën Gjylianës Konfalonieri dhe e Shenjtorëve Gjervasi e Protasi, martirë milanezë.
Shën Silveri papë e martir, që do të kremtohet nga Kisha katolike të mërkurën, na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.
Shën Luigj Gonzaga, jezuit, pajtor i rinisë katolike, që do të kremtohet të enjten, na bind, me jetën e tij, se feja nuk mund të ndahet nga dialogu i përhershëm me Zotin. Por dialogu, më shumë se me fjalë, bëhet me dëshmi, me mënyrën si e jetojmë Ungjillin, duke mos kursyer asgjë për Krishtin e për të afërmin. Shën Paolini, ipeshkëv i Nolës; Shën Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit e Shën Tomas More, martirë anglezë; Shën Flav Klementi, konsull romak, martir dhe i Lumi Inoçenci V, papë, që Kisha do t’i festojë të premten, na kujtojnë mësimin e Jezusit mbi thesarin e vërtetë, për të cilin mund të krenohemi, e për dritën e vërtetë, për të cilën ia vlen të shkrish gjithë jetën, me bindjen se Zoti është pranë nesh në orën e provës.
Të shtunën do të kremtohen Shën Jozef Kafasi, meshtar torinez dhe Shën Zakaria e Shën Elizabeta, prindërit e Shën Gjon Pagëzuesit – i cili do të kremtohet të dielën. Liturgjia e festës na kujton se pasuria jonë e vetme është dashuria e Zotit. Ne, që punojmë çdo ditë për vete e për familjet, Jezusi na kujton se duhet të kemi besim në Hyjin, i cili i njeh nevojat tona e është gjithnjë gati të na i plotësojë në kohën e duhur.







All the contents on this site are copyrighted ©.