2007-06-15 17:41:50

Asizi përgatitet për të pritur Benediktin XVI, që do ta vizitojë të dielën qytetin françeskan.


(15.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në Asizi gjithçka është gati për ta pritur Benediktin XVI i cili, të dielën e ardhshme do të shkojë për vizitë baritore në Qytetin e Shën Françeskut e të Shën Kjarës, me rastin e 800-vjetorit të kthimit të Varfanjakut të Asizit. Pasi të ketë kryesuar Meshën në Sheshin e Bazilikës së poshtme të Shën Françeskut, ku do të thotë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa do të gjunjëzohet pranë varrit të Shenjtit.
Shtegtimi baritor do të përfundojë me vizitën e Atit të Shenjtë në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ku do të lutet në kapelën e Porciunkolës e pastaj do të takojë të rinjtë në sheshin para bazilikës madhështore.
Ndërmjet atyre që do ta presin Atin e Shenjtë sapo të zbresë nga helikopteri, do të jetë imzot Domeniko Sorrentino, kryeipeshkëv i Asizit, Noçerës Umbre e Gualdo Tadinos – që flet për vizitën papnore në mikrofonin e Radios sonë:
Pyetje: - Shkëlqesi, e dimë se Papa do të vizitojë Asizin me rastin e tetëqindvjetorit të Kthimit të Shën Françeskut: a mund të na thoni diçka për këtë ngjarje themelore në jetën e Varfanjakut?
Përgjigje: - Tetëqind vjet më parë, Shën Françesku ishte një djalosh i këtij qyteti, që kërkonte gëzimin, lavdinë, sukseset e kësaj bote. I kërkonte e i gjente, e megjithatë shpirti i tij ishte plot trishtim. Pastaj takoi Jezu Krishtin e, që nga ai ças Krishti u bë gjithçka për të, ndërsa ai vetë, nga Françesk Bernardoni, u bë Shën Françesku. Jeta e tij ndryshoi e, me të, edhe jeta e këtij qyteti. Kush banon në Asizi e ndjen vazhdimisht ndikimin e mesazhit të Shenjtit, ndonëse kanë kaluar tetëqind vjet. E pikërisht nga kujtimi i asaj që ngjau para tetëqind vjetëve, lindi Viti i Pendesës, si kujtim i kthimit të Shenjtit, por edhe si impenjim për ne të gjithë. E pikërisht në kuadrin e këtij viti vjen Benedikti XVI në Asizi.
Pyetje: - Kanë kaluar tetë shekuj e megjithatë Shën Fraçesku është më aktual se kurrë: pse i tërheq kaq shumë njerëzit profecia e tij?
Përgjigje: - Françesku, siç dihet, sot ndiqet nga shumë njerëz, madje edhe nga ata që nuk janë të krishterë, por i kanë për zemër fatet e botës, fatet e njeriut, fatet e historisë, e kjo sepse mesazhet e tij shkojnë në drejtime nga më të ndryshmet. Zemra e mesazhit të Shenjtit, që e bën kaq aktual, është se ai e jetoi Ungjillin në atë mënyrë, që i jep kuptim të plotë jetës. E jetoi fjalë për fjalë, pa bërë asnjë kompromis, e jetoi jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht. Françesku jetoi në varfëri të plotë, duke ia kushtuar gjithçka Zotit, e kështu arriti të zbulojë edhe kuptimin e gjithësisë, gëzimin e vërtetë françeskan, këngën, lavdërimin e Zotit e të krijesave të tij. Sot jetojmë në një realitet historik që ka shumë vlera, shumë sende të bukura, shumë mundësi, sidomos në këndvështrimin ekonomik e teknik, por ka edhe shumë trishtim, shumë zbrastësi, shumë nevojë për t’i dhënë kuptim jetës. E profecia e Shenjtit na siguron se kuptimi i plotë i jetës mund të gjindet në Jezu Krishtin e në Ungjillin e tij.
Pyetje: - Ju Shkelqësi, që prej një viti jeni bari i qytetit Serafik, siç quhet Asizi: a mund të na thoni diçka për realitetin baritor të kësaj toke? A ndjehet ende fort shpirti i Shën Françeskut?
Përgjigje: - Them se po. Asizi e Françesku janë një trup i vetëm: nuk mund të kuptohet Shën Françesku pa Asizin e tani, edhe Asizi pa Shën Françeskun, jeta shpirtërore e të cilit ndërroi pikërisht në këtë qytet. Nuk është e rastit që ai deshi të vdiste këtu. Mund të themi se gjithçka në këtë qytet flet për të. Ndjehet fuqimisht frymëzimi françeskan në Kishat, në rrugët e rrugicat, por mbi të gjitha, në bijtë e Shenjtit që banojnë këtu. Ndjehet, pra, kudo, frymëzimi i tij.
Pyetje: - A mund të na thoni diçka për etapat e vizitës së Papës?
Përgjigje: - Disa nga etapat janë ato që të kujtojnë posaçërisht kthimin e Françeskut: Papa do ta nisë vizitën nga Rivo Torto, ku do të ulet, e do të bëjë një vizitë të shkurtër në një Kishëz të vogël, dikur shtëpia e të gërbulurve të Asizit. E kjo, sepse takimi me të gërbulurin e shërbimi që i bëri atij, janë çasti i parë i kthimit të Shenjtit. E thotë vetë në Testamentin e tij. Më pas Benedikti XVI do të shkojë në Kishën e Shën Damianit, ku i Kryqëzuari i foli Shenjtit, do të vizitojë Kishën e Shën Kjarës, ku ruhet Kryqi origjinal i Shën Damianit e pastaj do të kremtojë Eukaristinë në Bazilikën e Shën Françeskut, ku ruhen reliket e varfanjakut. Pasdite Papa do të shkojë në Shën Rufino, ku ndodhet ena e ujit të bekuar, në të cilën u pagëzua Shën Françesku e ku Ati i Shenjtë do të takohet me klerin e me rregulltarët. Katedralja është vendi i unitetit, vendi i bashkimit. Në këto çaste papa dëshiron që Asizi ta ndjejë veten sa më të bashkuar. Janë këto notat kryesore të ‘motu proprio’ me të cilën Ati i Shenjtë unifikoi veprimtarinë baritore të Asizit e të Kishës asiziane. Më në fund Papa do të shkojë në bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, dmth në Porciunkola, për t’ua dorëzuar përsëri të rinjve mesazhin e Shën Françeskut. Françesku është shenjt që mbeti i ri, në moshë e në shenjtëri, e kështu do t’ua dorëzojë Papa të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.