2007-06-14 17:04:41

Vritet në Liban një deputet antisirian


(14.06.2007 RV)RealAudioMP3 Tension shumë i lartë në Liban. Një autobombë në bregun e Bejrutit ka vrarë deputetin antisirian, Valid Eido. Viktima të atentatit kanë mbetur edhe i biri dhe 8 persona të tjerë. Në të gjithë vendin, sot është shpallur ditë zie. E gjithë bota dënoi gjestin, duke përfshirë edhe Sirinë, e cila akuzohet si organizatore e atentatit. Damaskut nuk i pëlqen ngritja e një gjykate ndërkombëtare për hetimet mbi vrasjen e ish-kryeministrit libanez Haririt dhe përpiqet tani të destabilizojë sërish gjendjen, e cila është e rrezikshme në të gjithë Lindjen e Mesme. Të dëgjojmë opinionin e Alberto Negrit, i dërguar i veçantë i gazetës italiane “Sole 24 ore”:
Ndoshta po zhvillohet, 40 vjet pas disfatës arabe të vitit 1967, një lloj Lufte e parë Botërore për Lindjen e Mesme, për krejt fashën nga Mesdheu deri në Gjirin Persik e në Kaukaz. Në këtë zonë, po zhvillohen një sërë konfliktesh, që janë para syve të të gjithëve, por të vështira për t’u përshkruar, sepse ngjarjet janë ngërthyer keq me njëra-tjetrën. Konflikti në Irak zgjoi luftën ndërmjet sunitëve dhe shiitëve, e cila sot, përshkon krejt rajonin nga një cep në tjetrin. Ç’mund të bëjmë? Të përpiqemi të mos krijojmë probleme të tjera. Lufta në Irak ka krijuar probleme të tjera në zonë, që u janë shtuar të vjetrave. Të shtosh të tjera tani do të thotë vetëvrasje.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.