2007-06-14 18:43:25

Papa pjesëmarrësve të Fondacionit “Populorum Progressio”: Kisha e shpresës ndjen nevojën të luftojë kundër mjerimit e në favor të dinjitetit të çdo njeriu e të drejtësisë së vërtetë


(14.06.2007 RV)RealAudioMP3 Fondacioni ‘Populorum progressio’, themeluar 15 vjet më parë nga Papa Vojtila për të ndihmuar popullsitë vendase të Amerikës Latine e të Karaibeve, është një shembull që meriton të ndiqet, në përpjekjen për t’i ndihmuar të varfërit, pa paternalizëm e pa i poshtëruar.
Këtë theksoi sot Benedikti XVI duke pritur në audiencë anëtarët e Fondacionit, 40-vjet pas botimit të enciklikës së Palit VI, emrin e së cilës mban organizmi.
Kisha në Amerikën Latine – vijoi Ati i Shenjtë - duhet të paraqitet e bashkuar në fe përballë shekullarizimit, përhapjes së sekteve e varfërisë së shumë vëllezërve, por edhe si Kishë e shpresës, që e ndjen se duhet të luftojë për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu si dhe drejtësinë e vërtetë, duke pasur mirë parasysh se përparimi shoqëror duhet të eci krah për krah me kumtimin e Ungjillit.
Drejtimi i ndihmave humanitare – vërejti Papa – është e mira të jetë në duart e atyre që i njohin problemet dhe nevojat konkrete të popullsive, të cilat duhen aktivizuar në përdorimin e këtyre ndihmave. Një aktivizim i tillë jo vetëm që i çliron ndihmat nga proceset e gjata burokratike, por nxit edhe nismën e nevojtarëve.
E pikërisht këtë udhë ka zgjedhur edhe Fondacioni si kriter themelor për projektet që financohen nga 8 për mijë, në bashkëpunim me shoqëritë civile të vendeve, të cilat i kërkojnë këto ndihma. Kështu Ati i Shenjtë u rikthye tek disa nga temat kryesore të shtegtimit të tij apostolik në Brazil, duke kujtuar se Amerika Latine konsiderohet si Kontinent i shpresës e i dashurisë, i pasur me burime natyrore, ku ndryshimet e thella të nivelit të jetesës, duhet të sheshohen me frymën e ndarjes së drejtë të pasurive. E pikërisht kjo frymë ndikon fuqimisht në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut e njëkohësiht është edhe mjet i frytshëm për t’iu kundërvënë ndikimit të sekteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.