2007-06-14 18:46:00

Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, nesër, Kisha lutet për shenjtërimin e klerit.


(14.06.2007 RV)RealAudioMP3 Nesër, më 15 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995. Po cila është domethënia e kësaj dite? Përgjigjet, në mikrofonin e Radios sonë, kryeipeshkvi Mauro Piaçenca, sekretar i Kongregatës për Klerin:
Pyetje: - Shkëlqesi, ç’domethënie e ç’qëllim ka kjo Ditë?
Përgjigje: - Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe klerikët, të fitojnë vetëdijën se meshtaria është e pazevendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjitha breznitë e të gjitha kohërave. Domethënia e parë, pra, është të kuptohet se meshtaria nuk është mbistrukturë e Kishës, por strukturë, mbi të cilën ngrihet vetë Kisha, sepse rrezaton dëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit. Qëllimi, pra, është të lutemi për klerin, sepse meshtari, që është një Krisht tjetër në gjirin e shoqërisë, do të duhej të kishte tiparet e Krishtit, e prej këndej, shenjtëria bëhet kërkesë jetike, pa të cilën meshtari nuk mund të kuptohet.
Pyetje: - Pse kjo Ditë përkon gjithnjë me solemnitetin e Zemrës së Krishtit?
Përgjigje: - Zemra, e dimë të gjithë, është simbol i ndjenjave. Sapo shikojmë zemrën në një pikturë, mendojmë menjëherë për dashurinë, për ndjenjat që e bëjnë të rrahë atë zemër. Zemra e Krishtit është simboli i dashurisë baritore për shpirtrat. Kur e shikojmë Zemrën e Krishtit, na vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Atëhere meshtari e ndjen se duhet, se pritet si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Krishti meshtarëve të tij e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i vetëm, ose kur jeton dramën e moskuptimit, në sa përpiqet të komunikojë vlerat në një shoqëri të shekullarizuar, ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për meshtarin është shkollë, ku nxë mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë strehë e shpirtrave. Edhe vetë pamja e meshtarit, veshja e mënyra si mbahet, duhet të jetë një shenjë që i flet besimtarit për qëndrimin e tij atëror, për mikpritjen, mirëkuptimin, për sigurinë se meshtari është strehë për të gjithë e në çdo rrethanë. Mendoj se shkollë e veçantë është edhe ajo që të jesh rrëfyes i mirë, për të mbarështuar mëshirën e Zotit.
Pyetje: - Si duhet të jetë figura e meshtarit që pret sot bashkësia e krishterë?
Përgjigje: - Them se është figurë meshtari krejt e ndryshme, nga ajo që paraqesin mjetet e komunikimit shoqëror: flas kështu, sepse meshtari nuk paraqitet siç është në të vërtetë. Meshtari që pret bashkësia është, mbi të gjitha, njeri i Zotit. Bashkësia pret të shikojë në të Famullitarin shenjt të Arsit, apo Shën Gjon Boskon. Natyrisht secili ka karakterin e vet, por kjo nuk e përjashton, përkundrazi e thellon, kërkesën për të parë në të vetë Zotin. Kur e pyesnin ndokend, që kthehej nga takimi me Shën Gjon Vianejn, famullitarin e Arsit: “Ke shkove të shikosh?”, përgjigjej: “Shkova të shikoj Zotin në një njeri”. Unë besoj se edhe laicistët, kur flitet për meshtarin apo kur duan t’ia hapin zemrën dikujt, kërkojnë pikërisht njeriun e Zotit.
Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore për meshtarët e sotëm?
Përgjigje: - Sigurisht janë sfidat për të cilat flet shpesh Ati i Shenjtë, dmth sfida e shekullarizimit, e relativizmit, e mendimit të ligësht, shumë e përhapur në kulturën e masës, e indiferentizmit, e mungesës së aftësisë për ta parë realitetin me sy kritik, duke dalluar në të të mirën nga e keqja. Në këto rrethana, meshtari nuk duhet të ecë pas botës, por pas Zotit, duhet të dijë t’i përballojë e t’i shikojë sfidat me syrin e Zotit, të dashurisë së tij e me pasion për misionin.
Pyetje: - A mund të themi se meshtari shenjt edukon besimtarë të shenjtë?Përgjigje: - Pyetje e bukur, që flet për shkëmbimin e shenjtërisë. Sa më shenjt të jetë meshtari, aq më të shenjtë bëhen ata, për të cilët kujdeset. Është një lloj si burimi i ngrohtësisë: në se në një dhomë është i ndezur kaloriferi, ndjehet menjëherë ngrohtësia. Prandaj në këtë Ditë, mendoj se besimtarët duhet të luten që meshtarët e tyre t’i përngjasin sa më shumë Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.