2007-06-14 18:47:46

Në Minsk filloi takimi i sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.


(14.06.2007 RV)Në takimin e Minskut, që do të përfundojë më 18 qershor, po diskutohet kryesisht rreth një teme jashtzakonisht të mprehtë e aktuale: “Emigracioni: sfidë për Evropën; problemet e pasojat e tij për veprimtarinë baritore të Kishave”.
Tema të tjera të takimit janë: situata e Kishës katolike në Bjellorusi, veprimtaria e CCEE (Konferencave Episcopale të Evropës), bashkëpunimi ndërmjet tyre në fushat baritore më urgjente, shoqëria a mas-mediave, mbrojtja e ambientit, marrëdhëniet me myslimanët, lidhjet me Afrikën si dhe puna baritore për thirrjet e reja meshtarake.
Do të preken edhe problemet kryesore të veprimtarisë ekumenike, në perspektivë të përgatitjes së delegacioneve katolike, që do të marrin pjesë në takimin e Sibiu (Rumani) më 4- 9 shtator 2007 si dhe ato të procesit të unifikimit të Evropës. Marrin pjesë 34 sekretarë të përgjithshëm, ndërmjet të cilëve edhe Nunci Apostolik në Bjellorusi, kryeipeshkvi Martin Vidovic si dhe Sekretari i përgjithshëm i COMECE-s (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian) Imzot Noel Treanor.







All the contents on this site are copyrighted ©.