2007-06-13 17:58:03

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI nënvizoi: në historinë e Kishës të kërkohen dashuria dhe veprat e Zotit, jo shkandujt e sensacionalizmat.


(13.06.2007 RV)RealAudioMP3 Papa i porosit besimtarët të shikojnë veprat e mëdha të Zotit në histori e ta duan Kishën, pa kërkuar me çdo kusht shkandujt e ngjarjet e bujshme. Ky është mesazhi kryesor i audiencës së 21-të të përgjithshme, mbajtur sot paradite nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 20 mijë shtegtarëve. Papa ia kushtoi katekizmin Euzebit të Çezaresë, ipeshkëv e historian i parë i krishtërimit.
Ndërmjet shumë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës, Papa kujtoi posaçërisht vullnetarët e Shoqatës Italiane të Dhuruesve të Gjakut (AVIS), që kremton 80-vjetorin e themelimit.
Që ka njerëz, të cilët e ndjekin veprimtarinë e Kishës duke kërkuar gabimet, duke përhapur shkandullin ose duke u interesuar thjeshtë për ngjarje të bujshme, të shtyrë nga kureshtja ose nga paragjykimet – ky është një fakt i pamohueshëm. Por një i krishterë i vërtetë nuk duhet ta shikojë Kishën e vet me këtë sy, përkundrazi, feja duhet ta ndihmojë t’a hapë shpirtin, për të njohur misterin e për të kërkuar, në historinë e Kishës, shenjat e dashurisë së Zotit, e në historinë e njerëzve, veprat e Tij të shëlbimit. Këtë nënvizoi Benedikti XVI në katekizmin e sotëm, duke i dalluar mirë këto dy qëndrime, i frymëzuar nga njëri prej ipeshkvijve të mëdhenj të epokës së parë të krishterë, Euzebi i Çezaresë, i cili 1700 vjet më parë përshkroi veprimet e atyre që, si “ujqër të uritur” iu sulën pa mëshirë grigjës së Krishtit, por edhe të atyre që, brez pas brezi, qenë kasnecë të Fjalës Hyjnore me fjalë e me shkrime.
Teolog, ekzegjet, dijetar i thellë, Euzebi vendosi të përmblidhte tre shekuj të historisë së Kishës, shekuj persekutimi e martirizimi, duke u ndaluar edhe në evolucionin doktrinor të vitit 325, që nisi me Koncilin e famshëm të Nikesë, në të cilin mori pjesë personalisht dhe dha një kontribut të çmuar, si autor i asaj ‘Besojme’, që e përsërisin edhe sot e kësaj dite gjithë të krishterët. E pikërisht në saje të dhjetë librave të ‘Historisë Kishtare’ shkruar nga ipeshkvi i Çezaresë – shpjegoi Papa – shumë ngjarje, personazhe e vepra letrare të Kishës së lashtë shpëtuan nga rreziku i zhdukjes e i harrimit. Në vëllimet tij përmblidhen jetë shenjtorësh e martirësh, flitet për heretikë e apologjetë, por gjithnjë duke i shikuar personazhet e ngjarjet me syrin e mëshirës e të mirësisë hyjnore. Nga vepra madhore e Euzebit, histori kristocentrike, në të cilën zbulohet pak nga pak misteri i dashurisë së Zotit për njerëzit dhe prania e tij në histori - tha Papa – buron një pyetje, që u drejtohet besimtarëve të çdo kohe:
“Ai – theksoi Ati i Shenjtë– na drejton edhe ne pyetjen: ç’ qëndrim mbajmë ndaj ngjarjeve të Kishës? Mbajmë qëndrimin e njeriut që shtyhet nga kureshtja, në kërkim të bujës e të shkandullit me çdo kusht? Apo qëndrimin plot dashuri të njeriut, që ia hap zemrën misterit, që e di, përmes fesë, se në historinë e Kishës mund të kërkojë e të gjejë shenjat e dashurisë së Hyjit dhe veprat e mëdha të shëlbimit të kryera prej tij? Në se është ky qëndrimi ynë, nuk mund të mos nxitemi për një përgjigje sa më koherente e bujare, për një dëshmi sa më kristiane jete, për t’ua lënë trashëgim gjurmët e dashurisë së Zotit edhe brezave të ardhshëm.”
“Në histori ka ngjarje të dukshme e të fshehura – tha në përfundim Benedikti XVI, duke cituar studiuesin e Patristikës, kardinalin Zhan Danielù, sipas të cilit misteri s’është tjetër, veç veprat e Zotit, që krijojnë në kohë realitetin e vërtetë, të fshehur pas pamjeve të jashtme:
“Pas shumë shekujve, Euzebi i Çezaresë i fton edhe sot besimtarët, na fton ne, të mahnitemi, të kundrojmë, në histori, veprat e mëdha të Zotit për shëlbimin njerëzve. E, me të njëjtën energji, na fton të bëjmë kthesë në jetë. Në të vërtetë, përballë një Zoti që na deshi kaq shumë, nuk mund të rrijmë duarkryq. Vetë natyra e dashurisë të shtyn t’i përngjash me tërë jetën njeriut të dashur. Të bëjmë, pra, gjithçka mundemi për të lënë në jetën tonë një gjurmë të tejdukshme të dashurisë së Zotit”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI përshëndeti budistët, anëtarë të “Risso Kosei-Kai” si dhe dhuruesit italianë të gjakut, duke i nxitur të vijojnë shërbimin e tyre të çmuar ndaj të afërmit e ndaj vetë vlerave të jetës. Më pas, duke iu drejtuar anëtarëve të Grupit për Kërkime Shkencore e Informacion Shoqëroro-Fetar, Papa vlerësoi lart punën e tyre, lidhur me një temë delikate:
“Ju përgëzoj për impenjimin tuaj kishtar, i cili ka për qëllim t’i sqarojë të krishterët për rreziqet lidhur me përhapjen e sekteve e të lëvizjeve të tjera të kësaj natyre”.E së fundi, Papa përshëndeti të rinjtë, duke kujtuar se për disa kanë nisur pushimet, në sa disa të tjerë janë para provimeve. Ju ndihmoftë Zoti – i uroi Ati i Shenjtë – që ta jetoni qetësisht këtë periudhë e të provoni mbrojtjen e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.