2007-06-13 18:09:49

Erë lufte civile në territoret Palestineze


(13.06.2007 RV)RealAudioMP3 Gjithnjë e më e ndezur gjendja në Territoret Palestineze. Krahu i armatosur i organizatës islamike Hamas i ka dhënë një ultimatum tjetër milicive të partisë Al Fatah, që të dorëzojnë armët. Nga ana e tij, presidenti palestinez Abu Mazen, i partisë Al Fatah, ka bërë thirrje për armëpushim, duke kërcënuar se partia e tij do të tërhiqet nga qeveria. Situata në Rripin e Gazës i ngjan gjithnjë e më shumë një lufte civile. Ndeshjet e këtyre ditëve kanë shkaktuar rreth 50 të vdekur. Militantë të Hamasit kanë hedhur në erë Shtabin e Përgjithshëm të Sigurisë së Al Fatahut në Khan Junis në jug të Rripit të Gazës. 40 policë janë arratisur për në Egjipt. Hamasi ka deklaruar se kontrollon krejt Gazën, përveç kazermave, besnike ndaj Al Fatahut. Italianët e mbetur të mbërthyer në darën e luftimeve në Gazë arritën të dalin sot jashtë zonës, në sajë të impenjimit të Kryqit të Kuq dhe të Ministrisë së Jashtme italiane. Disa qindra palestinezë mbushën sheshet e Gazës sot paradite për të kërkuar fundin e dhunës. Bashkimi Evropian është treguar i gatshëm të mbështesë idenë izraelite për dërgimin e një force ndërkombëtare në vend.
A ekziston rreziku që gjendja jashtë çdo kontrolli në Rripin e Gazës të shtrihet edhe në Çisjordani? Përgjigjet në mikrofonin tonë, atë Pierbatista Picabala, rojtar i Tokës Shenjte:
Akoma jo. Unë mendoj se Çisjordania ka një situatë, edhe shoqërore, shumë të ndryshme nga ajo e Gazës. Për momentin, rreziku është akoma larg. E rëndësishme është që të punohet për ta qetësuar situatën – megjithëse në Gazë duket vonë – që të mos ketë koka të nxehta për t’i sjellë këndej këto tensione.
Kush e dëshiron luftën civile?
Sigurisht bota arabe, bota tribale. Kam përshtypjen se krerët e mëdhenj e kanë humbur kontrollin mbi territor, por ka edhe celula që kanë hyrë nga jashtë.
Françeskanët e Tokës Shenjtë kanë bërë thirrje për paqe. E di që nganjëherë të flasësh në këtë mënyrë është retorike, por është e rëndësishme që të gjithë të ndjehen afër me çka po ndodh këtu. Është e rëndësishme që të ndërhyhet e të bëhen të gjitha presionet e nevojshme që kjo masakër të përfundojë sa më shpejt.

Zv.kryeministri izraelit, Shimon Peres u zgjodh sot president i shtetit të Izraelit. E votuan 86 deputetë nga 120 të mundshmit në parlament.

Ndalim qarkullimi në Samarra, në veri të Irakut, pas atentatit që sot paradite shkatërroi dy minaretë e xhamisë shiite të qytetit. 30 deputetët e liderit Moktada al Sadr kanë braktisur parlamentin në shenjë proteste. Një atentat i ngjashëm në shkurt të vitit 2006 kundër xhamisë qe shkak për fillimin e një fushate të përgjakshme dhune ndërmjet shiitëve dhe sunitëve. Shtëpia e Bardhë dënoi atentantin, i cili, sipas amerikanëve, është vepër e Al Kaidës. Po sot, ushtria amerikane në Irak deklaroi se ka vrarë kreun e organizatës terroriste në Mosul.







All the contents on this site are copyrighted ©.