2007-06-12 17:17:24

Filloi vizita në Romë e kryepeshkopit të Justinianës së re dhe të Qipros, Krizostomos II.


(12.06.2007 RV)RealAudioMP3 Gjatë qëndrimit në Romë, Fortlumturia e Tij Krizostomos II do të vizitojë katër bazilikat papnore të Qytetit të Amshuar, Bazilikën e Shën Klementit, ku do të lutet para varrit të Shën Çirilit si dhe Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, ku do të marrë pjesë në lutjet mbrëmësore me bashkësinë e Shën Egjidit. Vizita do të arrijë kulmin të shtunën e ardhshme, më 16 qershor, kur Fortlumturia e Tij do të takohet me Benediktin XVI, takim që parashikohet të përfundojë me një deklaratë të përbashkët.
Kujtojmë se historia e Kishës së Qipros fillon që në kohën e Apostujve e ruan të paprekur vazhdimësinë apostolike: themelues i saj konsiderohet Shën Barnaba, që kreu dy shtegtime misionare në ishull.
Por, për rëndësinë e kësaj vizite, në mikrofonin e Radios sonë, të dëgjojmë kardinalin Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që e priti Fortlumturinë e tij Krizostomos në aeroportin romak të Fiumiçinos:
Përgjigje: - Kisha e Qipros është Kishë me trashëgimi apostolike. Është Kishë e vjetër, e kjo është edhe gjëja më e rëndësishme. Në këtë ishull kanë predikuar Shën Pali Apostull e më pas Shën Barnaba. Së dyti, kjo Kishë është urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit e Kryepeshkopi i ri dëshiron të luajë rolin e ndërmjetësit për Lindjen e Perëndimin. Prej këndej, kjo vizitë është shumë e rëndësishme për ne, duke qenë një hap i ri afrimi me Kishat ortodokse.Pyetje: - A mund të themi se kjo vizitë, që përkon aq shumë me frymën ekumenike të papnisë së Benediktit XVI, është premtuese edhe për të ardhmen?
Përgjigje: - Kjo sigurisht është e vërtetë. Kujtojmë se Kryepeshkopi ka qenë i pranishëm edhe në salikimet e Gjon Palit II si dhe në fillimin e papnisë së Benediktit XVI. Hapet kështu, sigurisht, rruga për takime të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.