2007-06-12 17:28:40

Dita Botërore kundër punës së fëmijëve: cila është gjendja në Shqipëri?


(12.06.2007 RV)Sot kremtohet Dita Botërore kundër punës së fëmijëve. Një raport vë në dukje se rreth 22 mijë fëmijë në botë gjejnë vdekjen për shkak të shfrytëzimit që u bëhet në punë. Fëmijët që shfytëzohen ekonomikisht arrijnë shifra marramendëse. Janë 218 milion të miturit e moshës nga 5 deri në 14 vjeç, të cilët në vend që të shkojnë në shkollë, shfrytëzohen si krah pune. Shifrat janë të Organizatës Botërore të Punës, e cila e ngre zërin pikërisht sot për të drejtat e të vegjëlve, të shkelura në të katër anët e botës, e jo vetëm në vendet e pazhvilluara. Fëmijët që punojnë janë më të shumtë në Azi, por gjendja më dramatike është pa dyshim në Afrikë, ku edhe varfëria e familjeve është më e madhe. Organizata referon se forma më e keqe e shfrytëzimit të fëmijëve në Shqipëri është shitja dhe trafikimi i tyre. Vihet në dukje se fëmijët shqiptarë janë viktima të transplantimit të organeve, të abuzimit seksual, të krimit të organizuar dhe të shpërdorimeve të tjera në familje. Disa mijëra kanë emigruar pa u shoqëruar nga prindërit në Greqi dhe Itali, duke u detyruar të lypin rrugëve apo semaforëve, në rastin më të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.