2007-06-11 18:29:03

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Korpit të Krishtit, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët ta zbulojnë në heshtje Zotin, që është pranë dhe bëri thirrje për lirimin e të rrëmbyerve.


(11.06.2007 RV)RealAudioMP3 Dje, në Itali dhe në vende të tjera të botës, Kisha kremtoi solemnitetin e Corpus Domini. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përsëriti ftesën për adhurimin e Eukaristisë. Ta adhurosh të Shenjtnueshmin Sakrament - shpjegoi Benedikti XVI – do të thotë të gëzosh një çast heshtjeje shpirtërore, në mes të zhurmës hutuese të jetës së përditshme, për të rizbuluar, në shoqëri me Jezusin, se Zoti është pranë. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë bëri një thirrje të re në favor të njerëzve të rrëmbyer në mbarë botën, ndërmjet të cilëve, edhe disa meshtarë katolikë.
E ndoqën, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell të zjarrtë veror, më se 50 mijë shtegtarë, ardhur nga mbarë bota.
Solemniteti i Corpus Domini – nënvizoi Papa – na fton ta kundrojmë misterin më të madh të fesë sonë: Të Shenjtnueshim Sakrament, prani reale e Jezu Krishtit në Sakramentin e elterit. Flijimi eukaristik përtërihet sa herë që meshtari, në lutjen e shugurimit, përsërit fjalët: “Ky është korpi im… ky është gjaku im”:
E thotë këtë duke ia kushtuar zërin, duart e zemrën Krishtit, që deshi të rrijë me ne e të jetë zemra e Kishës, e cila rreh e nuk pushon. Por edhe mbas Kremtimit të mistereve hyjnore, Zoti Jezus rri, i gjallë, në Tabernakull; prandaj lumnohet posaçërisht me adhurimin eukaristik, siç kam kujtuar në Nxitjen time apostolike pas-sinodale ‘Sacramentum caritatis”- tha Benedikti XVI, i cili në vijim ripohoi se ekziston një lidhje e pandashme ndërmjet kremtimit e adhurimit eukaristik. Mesha Shenjte, në vetvete, është akti më i lartë i adhurimit në Kishë e, siç thotë Shën Agostini: “Askush nuk e ha këtë Korp, në se nuk e ka adhuruar më parë”. Atëhere mund të themi se adhurimi jashtë Meshe zgjat e plotëson atë që ndodh në kremtimin liturgjik, duke bërë të mundur takimin e vërtetë e të thellë me Krishtin. Prandaj Papa i porositi barinjtë dhe të gjithë besimtarët ta praktikojnë adhurimin eukaristik, duke u shprehur vlerësimin e tij Instituteve të Jetës së Përkushtuar si dhe shoqatave e bashkëvëllazërive, që i kushtohen në mënyrë të posaçme adhurimit të Krishtit në të Shenjtnueshmin Sakrament. Në këtë mënyrë – vijoi Papa – u kujtojnë të gjithëve se Krishti është në qendër të jetës sonë personale e kishtare:
Gëzohem, pastaj, në sa vërej se shumë të rinj po e zbulojnë bukurinë e adhurimit, si personal ashtu edhe komunitar. I ftoj meshtarët t’u japin zemër këtyre grupeve rinore, por edhe t’i ndjekin nga afër, në mënyrë që format e adhurimit në bashkësi të jenë gjithnjë më të përshtatshme e dinjitoze, të shoqëruara me çaste heshtjeje e dëgjimi të fjalës së Zotit. Në jetën e sotme, shpesh të zhurmshme e hutuese, është e rëndësishme, më shumë se kurrë, aftësia e heshtjes së brëndshme dhe e lutjes: adhurimi eukaristik na krijon mundësinë për ta bërë këtë jo vetëm me vetveten, por kryesisht në shoqëri me Atë, të cilit mund t’i drejtohemi me ‘Ti’, me Jezu Krishtin që është “Zoti pranë nesh”.
Virgjëra Mari, Gruaja eukaristike – vijoi Papa - na priftë në përpjekjen për të zbuluar të fshehtën e adhurimit të vërtetë, me shembullin e zemrës së saj të përvujtë e të thjeshtë, gjithnjë pranë misterit të Krishtit.
Me ndërmjetësinë e saj, u shtoftë në mbarë Kishën besimi në misterin eukaristik, gëzimi i pjesëmarrjes në Meshën Shenjte, posaçërisht të dielën, e zelli për ta dëshmuar dashurinë e pacak të Krishtit”.Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri përsëri thirrje për të rrëmbyerit në mbarë botën, duke theksuar se merr vazhdimisht kërkesa për t’u interesuar në favor të të rrëmbyerve, ndërmjet të cilëve, edhe meshtarë katolikë:
“I kam të gjithë në zemër e të gjithë janë të pranishëm në lutjen time, duke menduar, ndërmjet rasteve të tjera, për rastin e dhimbshëm të Kolumbisë - theksoi Papa dhe vijoi: - U bëj thirrje autorëve të veprimeve të tilla të urryera, ta kuptojnë të keqen që kanë kryer e t’i rikthejnë në gjirin e të dashurve të gjithë njerëzit e rrëmbyer. Ia besoj viktimat mbrojtjes amtare të Zojës së Bekuar, Nënës të të gjithë njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.