E befasuar Evropa nga deklarata e Bushit mbi Kosovën
(11.06.2007 RV)Sikur të mos mjaftonte deklarata e djeshme në Shqipëri që shkaktoi
zhurmë në të gjitha kancelaritë botërore, sidomos evropiane, presidenti amerikan Xhorxh
Bush përsëriti edhe sot, gjatë vizitës së tij në Bullgari se “Kosova duhet të jetë
e pavarur”. Presidentit bullgar, Parvanov që i kërkonte të merrej parasysh edhe
qëndrimi i Serbisë, Bush iu përgjigj se “Serbia ka përpara një rrugë që e çon ndoshta
në NATO, ndoshta në Bashkimin Evropian, e sigurisht drejt marrëdhënieve më të mira
me SHBA-të”. Ky pra është çmimi që i jepet Beogradit nëse pranon pavarësinë e Kosovës,
pavarësisht se nga qeveria e Koshtunicës kanë ardhur njëra pas tjetrës, deklarata
të hidhura për politikën amerikane në Kosovë. “SHBA-të nuk kanë të drejtë t’u dhurojnë
shqiptarëve territore serbe” – tha sot kryeministri Vojisllav Koshtunica, i cili më
pas kërcënoi: “Nëse Amerika do të injorojë të drejtën ndërkombëtare duhet ta dijë
se Serbia do ta hedhë poshtë e do të konsiderojë zero çdo formë pavarësie në rajonin
e saj”. Tonet e ashpra serbe gjejnë konfirmim në takimin e Koshtunicës me presidentin
rus Putin në Shën Pjetërburg, ku Moska përsëriti mbështetjen e saj ndaj Beogradit.
Por, presidenti amerikan Bush nuk ndalet. Përsëri nga Bullgaria një tjetër leksion
për Moskën. Ndoshta edhe Sofia do të bëhet pjesë e planit të mbrojtjes me raketa në
Evropë, përveç Çekisë dhe Polonisë. Një argument tjetër për t’u diskutuar me presidentin
rus Putin në takimin e korrikut, diskutim që paraqitet i vështirë pas këtyre deklaratave. Por
ç’po ndodh, ndërsa Bush fiton faqet e para të gazetave? Në Itali është takuar sot
kryenegociatori për Kosovën, Marti Ahtisari me Ministrin e jashtëm italian, Masimo
D’Alema. Së shpejti, D’Alema do të shkojë në Prishtinë e Beograd. Për të diskutuar…
çfarë? Cili është plani B që ndoshta akoma nuk ka dalë në faqet e gazetave? Italianët
janë të njohur për gjetjen e kompromiseve e Bush në Romë, kërkoi pikërisht ndërhyrjen
e tyre edhe për çështjen e Kosovës. Sot, Ministri i Brendshëm italian, Xhuliano Amato,
nga Brukseli ku ndodhet, u shpreh i shqetësuar për mundësinë e deklarimit të njëanshëm
të pavarësisë së Kosovës, por theksoi edhe se Evropa ka një qëndrim të caktuar ndaj
statusit të ardhshëm e duhet që Serbia të reflektojë mirë mbi mundësitë që i jepen. Evropa
u befasua nga deklarata e presidentit Bush mbi Kosovën, siç na shpjegon Alberto Bobbio,
kryeredaktor i revistës katolike “Familja e krishterë” në Itali: Perspektivat janë
të ndërlikuara, sepse dje në deklaratën e tij nga Shqipëria, presidenti amerikan Bush
foli për pavarësinë e Kosovës. Praktikisht mund të themi se dje amerikanët e njohën
pavarësinë e Kosovës e ky ngut amerikan natyrisht e tremb Evropën. Propozimi i liderit
të ri francez Sarkozì, sipas meje, është një propozim inteligjent, sepse shtyrja e
diskutimeve mbi Kosovën për disa muaj mund ta kishte bindur Rusinë mbi domosdoshmërinë
e pavarësisë së Kosovës, një pavarësi të mbikqyrur vërtet, por dipllomacia mund të
tregohej më krijuese e të gjente një mënyrë… Natyrisht, deklarata e djeshme e Bushit
i ndryshoi kartat mbi tavolinë. Bashkimi Evropian mund të përçahet. Dikush do të shkojë
me amerikanët, dikush me propozimin franko-italian, që thotë të presim pak e të përpiqemi
ta bindim Moskën. Sot, komisari evropian për zgjerimin, Olli Ren deklaroi
se vendimi mbi statusin e Kosovës duhet të merret në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
e plani i Ahtisarit duhet të jetë baza për rezolutën përfundimtare.