2007-06-09 17:08:13

Paqja në Lindjen e Mesme, situata në Irak dhe Afrika ishin në qendër të vëmendjes në takimin e parë të Papës Benedikti XVI me Presidentin Bush.


(09.06.2007 RV)“Sot, e shtunë, 9 qershor 2007-shkruhet në Komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkelqësia e Tij, Zoti George W. Bush, u prit në audiencë nga Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI. Gjatë bisedimeve të përzemërta, u shqyrtuan temat kryesore të politikës ndërkombëtare, duke u ndalur posaçërisht, përsa i takon Lindjes së Mesme, tek çështja izraelito-palestineze, tek situata në Liban, situata shqetësuese në Irak dhe tek kushtet kritike në të cilat ndodhen bashkësitë e krishtera. Selia e Shenjtë uroi edhe një herë që konflikti dhe kriza që trondisin Lindjen e Mesme të gjejnë një rrugëzgjidhje ‘zonale”, “fryt i bisedimeve”. Gjatë audiencës, vëmendje e posaçme iu kushtua edhe Afrikës e zhvillimit të saj, duke theksuar sidomos situatën në Darfur; por nuk mungoi edhe shkëmbimi i opinioneve për situatën në Amerikën Latine. Së fundi u shqyrtuan çështjet e sotme morale e fetare, ndërmjet të cilave, problemet që lidhen me të drejtat e njeriut e me lirinë fetare, me mbrojtjen e promovimin e jetës, martesën e familjen, edukimin e breznive të reja e zhvillimin e qëndrueshëm”.
Duke u kthyer në kronikën e këtij takimi të rëndësishëm, kujtojmë se korteu presidencial arriti në Oborrin e Shën Damasit rreth orës 11,03. Për ta pritur Presidentin Bush dhe bashkëshorten e tij Laura kishte dalë prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Xhejms Majkëll Harvej, i cili i shoqëroi Presidentin dhe Zojën e parë amerikane, veshur me të zeza, me kokën mbuluar me vel, sipas rregullave protokollare. Takimi u zhvillua në Sallën e Bibliotekës së Pallatit Apostolik, ku Papa bisedoi gjatë, privatisht, me Zotin Bush. - Takimi i G.8 ishte një sukses - pohoi Presidenti, duke iu përgjigjur pyetjes që i bëri Papa i cili, sapo e takoi, e pyeti pikërisht për rezultatet e samitit të Gjermanisë, ku u takuan fuqitë e mëdha. Në fillim të bisedimeve me porta të mbyllura, që zgjatën një gjysëm ore, Benedikti XVI u interesua posaçërisht për ndihmat në favor të Afrikës, temë në rendin e ditës së takmit të G.8 në Hailigendam.
Në përfundim të bisedimeve, sipas traditës, u shkëmbyen dhuratat. Benedikti XVI i dhuroi Presidentit Bush një stampë të Bazilikës së Shën Pjetrit, realizuar në vitet ‘700, ndërsa Presidenti i dhuroi Papës një bastun të bardhë, në të cilin ishin skalitur me ngjyra të ndryshme, 10 Urdhërimet e Tënzot.
Më pas – siç thekson edhe Komunikata e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Zoti Bush u takua edhe me Hirësinë e Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Shkelqësia e Tij, imzot Dominik Mambertì, Sekretar për marrëdhëniet me shtetet. Bisedimi zgjati 40 minuta.
Dita e presidentit Bush në Romë ishte e ngarkuar me takime të karakterit institucional. Para bisedimeve me Papën, Gjorgj Bush u takua me Presidentin italian, Gjorgjio Napolitano, i cili ripohoi rëndësinë e Natos për Italinë.
Pas takimit me Benediktin XVI Presidenti Bush priti kryesinë e bashkësisë së Shën Egjidit në Selinë e Ambasadës Amerikane, ku u fol për ndihmat humanitare në Afrikë.
Më pas Presidenti amerikan shkoi në Pallatin Kigji për një drekë pune me kryeministrin italian, Romano Prodi. Ndërsa sonte – takimi me ish-kryeministrin Silvio Berluskoni në Vila Taverna, seli e ambasadorit amerikan. Vizita e Bushit në Romë u shoqërua me një sërë manifestimesh e incidentesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.