2007-06-08 16:45:14

Sot u kremtua Shën Medardi.


(08.06.2007 RV)I jati ishte një nga frankët që pushtuan Galinë. E ëma i përkiste një familjeje galo-romake, pra ishte bijë e popullit të pushtuar. Medardi bën pjesë në brezninë e parë të francezëve, që lindi nga përzjerja e dy fiseve. Pas studimeve në Viromandensium (Shën Kuentini i sotëm), u shugurua meshtar e u bë i famshëm si mbrekullibërës. Aty nga viti 545 e gjejmë ipeshkëv të Shën Kuentinit, në trojet mbi të cilat mbretëronte Klotari I, njëri nga të katër fëmijët e Klodoveut, që e ndanë ndërmjet tyre mbretërinë pas vdekjes së t’et. E një ditë prej ditësh, në portën e kryeipeshkvisë së Medardit trokiti Radegonda, e bija e mbretit të Turingjisë, e sjellë në oborrin e Klotarit si plaçkë lufte e më pas, e martuar me mbretin. Ishte bashkëshorte e palumtur: gjithnjë e fyer e e tradhtuar nga i shoqi. E trajtuar në këtë mënyrë, ajo gjente ngushëllim vetëm në Zotin. Prandaj edhe trokiti në portën e ipeshkvit shenjt. E Shën Medardi e pranoi dhe e shuguroi diakoneshë. Më pas Radegonda do të themelonte një kuvend e një spital në Puatie. Kur Medardi vdiq, mbreti Klotari I dha urdhër që trupi i tij të varrosej në Suasons. Këtu, mbi varrin e shenjtit, u ndërtua më pas kisha e abacisë së Shën Medardit.







All the contents on this site are copyrighted ©.