2007-06-08 18:24:44

Presidenti Bush në Poloni e pastaj në Romë te Papa


(08.06.2007)Pas mbledhjes së G8-ës, presidenti amerikan Bush shkoi në Poloni, ku u takua me presidentin polak, lek Kaçinski e pas pak pritet të mbërrijë në Romë, ku nesër e pret një ditë e vështirë, për shkak të protestave të organizuara në qendrën e kryeqytetit italian. Nesër në orën 11 do të takohet me Papën Benedikti XVI, ndërsa takimi me krerët e Bashkësisë së Shën Engjidit do të zhvillohet në ambasadën amerikane e jo në selinë e Trasteveres, siç ishte parashikuar. Në fakt, për motive sigurie, është anulluar krejt vizita e presidentit amerikan në lagjen e Trasteveres, ku ai do të shkonte edhe në njërën nga bazilikat më të bukura romake, në atë të Shën Marisë në Trastevere.
Sot paradite, presidenti Bush pati probleme me stomakun, por pas dy orësh pushimi shkoi gjithsesi në punimet e mbledhjes së G8-ës. Pasnesër, pritet në Shqipëri, ku nuk parashikohen protesta. Lajmi i fundit nga Tirana është ndërrimi i emrit të rrugës “Punëtorët e Rilindjes”, e cila që sot e tutje do të quhet rruga “Xhorxh Bush”.







All the contents on this site are copyrighted ©.