2007-06-08 16:44:44

Mesazh i Benediktit XVI për njëqindvjetorin e gazetarit italian Odoardo Fokerini, që shpëtoi më se njëqind hebrenj nga Shoah.


(08.06.2007 RV)“Figurë e paharrueshme e bashkëshortit të krishterë, shembulli virtuoz i të cilit vijon t’i flasë Kishës së sotme”. Me këto fjalë e kujtoi Benedikti XVI italianin Odoardo Fokerini, njëri prej heronjve antinazistë të cilët gjatë Luftës II Botërore e shkrinë e nganjëherë edhe e humbën jetën, për t’i shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja në masë. Mesazhi i Papës, nënshkruar nga kardinali Bertone, i drejtohet dioqezës modeneze të Karpit, që kremtoi njëqindvjetorin e lindjes së Fokerinit, procesi dioqezan për lumnimin e të cilit përfundoi në vitin 1998, kur aktet i kaluan Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Bashkëshort, baba i shtatë fëmijëve, gazetar, por sidomos trim, në një kohë kur mbrojtja e idealeve të kushtonte jetën, Odoardo Fokerini, me ndihmën e ipeshkvnisë modeneze, guxoi, nën hundën e nazistëve, të organizonte kalimin e hebrenjve drejt Zvicrës e ta bënte edhe shtëpinë e tij vendstrehimi për njerëz që rrezikoheshin të zhdukeshin. Si u arrestua e u transferua nga një kamp përqendrimi në tjetrin, vdiq në kampin nazist të Hersbrukut natën e Krishtlindjes të vitit 1944. Ishte vetëm 37 vjeç. Prandaj në mesazhin për njëqindvjetorin e lindjes së tij , Benedikti XVI uron që ky rast të kontribuojë për kujtimin e dëshmisë së ndritshme të këtij laiku fisnik që, duke u përpjekur të ecë në gjurmët e Krishtit, nuk kurseu as jetën për shpëtimin e vëllezërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.