Në Solemnitetin e Korpit të Krishtit, Papa kryesoi Meshën në Bazilikën e Lateranit
dhe proçesionin në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
(07.06.2007 RV)Sot pasdite, duke nisur nga ora 19. 00, Benedikti XVI kryesoi,
në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, funksionin solemn liturgjik, në bashkëkremtim
me kardinaj, ipeshkvij e meshtarë, ndërmjet të cilëve edhe meshtarët e rinj të shuguruar
kohët e fundit në Qytetin e Amshuar. Kështu nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit
në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm
të Corpus Domini, që në Itali e vende të tjera të botës së krishterë, përfshirë Shqipërinë,
do të kremtohet të dielën e ardhshme (duke u krijuar të gjithë besimtarëve mundësitë
për të ndjekur meshët e procesionet tradicionale) Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin
nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë
për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë. Gjatë homelisë, Benedikti
XVI u shpjegoi besimtarëve kuptimin dhe historikun e solemnitetit të Korpit e të
Gjakut të Krishit, takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë. Pas
Meshës, besimtarët ndoqën procesionin eukaristik, që u përshkua nëpër rrugën Merulana,
për të arritur në këmbë tek një bazilikë tjetër madhështore, ajo e Shën Marisë së
Madhe. Korteu i të devoçmëve përbëhej nga besimtarë të ardhur nga të katër anët e
botës katolike. Ndërmjet tyre: skautë, anëtarë të Shoqërive të përshpirtshme, fëmijë
të cilët sapo kanë marrë Kungimin e parë, Kalorës të Varrit të Shenjtë e sa e sa të
tjerë, natyrisht pa kujtuar këtu njerëz të Kishës të të gjitha rangjeve e gradave:
që nga rregulltarët e rregulltaret, tek famullitarët, nga priftërinjtë tek kardinajtë
e Kuries Romake. Besimtarët u nisën, duke u lutur e duke kënduar himne, drejt bazilikës
së Shën Marisë së Madhe, për të shprehur simbolikisht se të gjithë jemi shtegtarë
drejt Atdheut qiellor. Nuk jemi vetëm në këtë shtegtim: me ne është Jezusi, buka e
jetës: buka e engjëjve, buka e shtegtarëve. Krishti na ushqen shpresat e na ndihmon
në këtë shtegtim drej qiellit, drejt Kishës qiellore.