2007-06-07 19:56:57

Eukaristia i mban gjallë të krishterët në këtë botë, ku sundon logjika e pushtetit e e pasjes, kundër jetës - tha Papa në homelinë e Solemnitetit të Korpit të Krishtit.


(07.06.2007 RVRealAudioMP3 Gjatë homelisë Benedikti XVI u shpjegoi besimtarëve kuptimin dhe historikun e solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qellimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1).
Kremtimi eukaristik i solemnitetit – kujtoi Papa – rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë:
“Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit ‘për ta predikuar nga pullazet, atë që ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës – theksoi me forcë Ati i Shenjtë, duke e lidhur ngushtë dhuratën e Krishtit, me aktualitetin e saj të përhershëm, që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtrihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, tashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashterrshme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).
Gjatë gjithë homelisë, përveç leximeve liturgjike, Bendikti XVI komentoi edhe disa fragmente të nxitjes së tij pas-sinodale “Sacramentum caritatis”, duke u ndaluar posaçërisht tek fjalët themelore të kremtimit. Së pari Papa shpjegoi fjalët “Misteri i fesë”, që meshtari i thotë pas shugurimit të hostes, për të shpallur misterin e kremtuar e për të shprehur mahnitjen e vet përballë shndërrimit të bukës e të verës në Korpin e në Gjakun e Zotit Jezus, realitet misterioz, që s’e kap dot mendimi:
E pikërisht sepse kemi të bëjmë me një realitet misterioz, i cili i kapërcen kufijtë e mendimit tonë, nuk duhet të çuditemi që sot shumkush nuk e ka të lehtë të pranojë se Krishti është vërtetë i pranishëm në Eukaristi”.
E as që mund të jetë ndryshe – vijoi të shpjegonte Benedikti XVI. Këshu ka qenë që nga dita kur, në sinagogën e Kafarnaos, Krishti deklaroi haptazi se kishte ardhur për të na ushqyer me korpin e gjakun e vet. Fjalë tepër të forta këto, përballë të cilave shumë u tërhoqën e e lanë. Si atëherë, edhe sot Eukaristia mbetet shenjë kundërshtie, e nuk mund të mos jetë kështu, sepse një Hyj që flijon vetveten për jetën e botës, e vë në krizë gjithë dijen njerëzore. Por Kisha, me besimin e përvujtë të Pjetrit e të Apostujve të tjerë – vijoi Ati i Shenjtë – shpall edhe sot: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur” (Gjn. 6,68).
Në vijim të homelisë, Benedikti XVI rikujtoi se Eukaristia është shujta që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij;
“Eukaristia – theksoi Papa, duke kujtuar kohët në të cilat jetojmë - është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit e të dashurisë”.
Duke komentuar fragmentin liturgjik, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës, në të cilin flitet për shumëzimin e bukëve e të peshqve, që mjaftuan për t’i nginjur të gjithë, Shenjtëria e tij u ndalua pikërisht tek fjala “të gjithë”, duke nënvizuar me forcë se Zoti dëshiron që “të gjithë” të ushqehen me Eukaristinë. Prandaj sot, proçesioni dhe adhurimi i përgjithshëm i Eukaristisë, u kujton të gjithëve se Krishti u flijua për mbarë njerëzimin. Kalimi i Tij ndërmjet shtëpive e nëpër rrugët e qyteteve tona, i fton banorët e tyre të bëhen pjesëtarë të gëzimit, të jetës së pasosur, të paqes e të dashurisë, që buron nga Krishti.
E mrekullia e shumëzimit të bukëve e të peshqve - shpjegoi Papa - përmban qartë edhe ftesën drejtuar të gjithë njerëzve për të dhënë kontributin e tyre, për të ecur në rrugët e shenjtërisë e për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, sepse të gjithë jemi të thirrur të bëhemi, së bashku me Jezusin, bukë e thyer për jetën e botës.
Ati i Shenjtë e përfundoi homelinë duke kujtuar fjalët e shën Gjonit Apostull nga Libri i Zbulesës:
“Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”,fjalë që u pasuan nga lutja përfundimtare:
“O Bari i Mirë, bukë e vërtetë/, ki mëshirë për ne/ (…). Ti që di e mund të bësh gjithçka/ e që na ushqen mbi këtë tokë, udhëhiqi vëllezërit në tryezën e qiellit/ në gëzimin e shenjtorëve”. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.