2007-06-06 18:00:44

Thirrja e Papës drejtuar udhëheqësve të G.8: respektoni impenjimet mbi ndihmat për zhvillimin e vendeve të varfëra e posaçërisht, atyre të Afrikës.


(06.06.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI i drejtoi një thirrje të re udhëheqësve të G.8., të mbledhur në takimin e rangut të lartë të Hailigendam, në Gjermani. Ndërsa katekizmin e sotëm ia kushtoi ipeshkvit të Kartagjenës, Çiprianit, i cili jetoi në shekullin III.
Lidhur me samitin e G.8, Benedikti XVI kujtoi letrën që i pati dërguar, në dhjetorin e kaluar, kancelares gjermane, Angela Merkel, të cilën e falënderonte, në emër të Kishës katolike, për vendimin që të mbetej në rendin e ditës të G.8 tema e varfërisë në botë, me vëmendje të përqëndruar posaçërisht tek Afrika. Në letrën e përgjigjes, zonja Merkel e siguronte Atin e Shenjtë se G.8 do të impenjohej për arritjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit që, sipas kërkesës së Benediktit XVI, janë: “Shlyerja e plotë dhe e pakushtëzuar e borxhit të jashtëm, hyrja pa pengesa e pa rezerva ndër tregje, reduktimi i ndjeshëm i tregtisë së armëve, lufta kundër pandemive, posaçërisht, kundër Sidës, tuberkulozit, malaries e sëmundjeve të tjera tropikale, kundër trafikut ilegal të lëndëve të para të çmuara e transferimit të kapitaleve nga vendet e varfëra, korrupsionit e riciklimit të parave që burojnë nga vepra kriminale”: arritje – pohonte Papa - që lidhen pazgjidhshmërisht me paqen e sigurinë në botë:
“Dëshiroj tani t’u drejtoj një thirrje të re liderve të mbledhur në Hailigendam, që të mos heqin dorë nga premtimet për të shtuar në mënyrë të ndjeshme ndihmën për zhvillim në favor të popullsive më nevojtare, posaçërisht atyre të Kontinentit afrikan. Në këtë drejtim, vëmendje të posaçme meriton objektivi i dytë i madh i mijëvjeçarit: sigurimi i arsimit fillor për të gjithë, deri në vitin 2015, që u krijon djemve e vajzave mundësinë për ta kryer plotësisht shkollën fillore
Ky objektiv – tha Papa – ndihmon për realizmin e të gjitha objektivave të tjera të mijëvjeçarit: është garanci për objektivat e realizuara e pikënisje për proceset e pavarura e të qëndrueshme të zhvillimit. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi impenjimin e Kishës:
“Nuk duhet harruar se Kisha katolike ka qenë gjithnjë në vijë të parë në fushën e edukimit, duke arritur posaçërisht në vendet më të varfëra, atje ku strukturat shtetërore shpesh nuk mund të arrijnë”.
Kishat e tjera të krishtera, grupet fetare e organizatat e shoqërisë civile – vijoi Ati i Shenjtë – e mbështesin këtë impenjim edukativ. Është një realitet të cilin qeveritë dhe organizmat ndërkombëtare duhet ta njohin, ta vlerësojnë e ta mbështesin edhe përmes ndihmës së nevojshme financiare. Solidariteti për vendet e varfëra – shkruan Papa në letrën drejtuar kancelares Angela Merkel – nuk është lëshim, por detyrë e rëndësishme dhe e pakushtëzuar, e bazuar në faktin se të gjithë njerëzit i përkasin së njëjtes familje njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.