2007-06-06 19:36:25

Lajme nga bota


(06.06.2007 RV)Shtyhet për një datë të pacaktuar takimi ndërmjet kryeministrit izraelit, Ehud Olmert dhe presidentit palestinez, Abu Mazen, që duhej të zhvillohej nesër në Çisjordani. Arësye e këtij vendimi është kërkesa e presidentit palestinez për armëpushim në Gazë e Çisjordani, e kundërshtuar si nga Izraeli, ashtu edhe nga ekstremistët palestinezë të Hamasit.

Kanë rifilluar luftimet në kampin e refugjatëve palestinezë të Nahr al-Baredit në Liban. Ushtarët libanezë kanë hyrë në brendësi të kampit, ku po luftojnë cak më cak me ekstremistët e grupit islamik. Ndërkaq, në jug të Libanit, rreth 40 guerrilas palestinezë janë vendosur në kufirin e kampit tjetër ku ka pasur luftime, afër Sidonit, për të parandaluar ndeshje të tjera.

Pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuara para kërcënimit të ETA-s. Kështu foli sot para Senatit kryeministri spanjoll Zapatero, pasi organizata indipendentiste baske deklaroi se, duke filluar nga mesnata e sotme, pezullon armëpushimin e shpallur në mars të vitit të kaluar. Në një notë, shprehen të shqetësuar edhe ipeshkvijtë baskë, të cilët i kërkojnë Etës të ndalojë çdo formë dhune.







All the contents on this site are copyrighted ©.