2007-06-05 18:42:38

Bush në Pragë: Rusia dhe Kina demokraci të mangëta


(05.06.07 RV)Vazhdon vizita e presidentit amerikan Bush në Evropë. Një ditë para fillimit të mbledhjes së G8-ës në Gjermani, Bush nga Republika Çeke ku ndodhet sot, kritikoi demokracinë në Rusi dhe Kinë, duke theksuar se SHBA-të do të kenë gjithnjë marrëdhënie dypalëshe me këto shtete, por pa hequr dorë nga vlerat e demokracisë amerikane.
Në një klimë tensioni gjithnjë në rritje me Rusinë e me Kinën, për shkak të sistemit të mbrojtjes me raketa që Bush dëshiron të vendosë në Çeki e Poloni, presidenti amerikan theksoi se “në Rusi, reformat që premtonin fuqizimin e të drejtave të qytetarëve kanë devijuar nga rruga e tyre me probleme shqetësuese për zhvillimet demokratike”. Përsa i përket Kinës, Bush vërejti se duke gabuar rëndë, “udhëheqësit kinezë besojnë se mund të vazhdojnë hapjen e ekonomisë pa hapur sistemin politik”.
Vizita e presidentit amerikan në Republikën Çeke u shoqërua me protesta e të tjera përgatiten në Gjermani, në Poloni e në Romë, ku Bush do të kalojë para se të shkojë në Shqipëri e Bullgari, vende në të cilat parashikohen manifestime të gëzueshme mikpritjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.