2007-06-04 16:02:29

Në Mosul të Irakut u vranë një prift katolik e tre diakonë: Papa merr pjesë në dhimbjen e Kishës vendase.


(04.06.2007 RV)“Krim pa kurrfarë kuptimi” – kështu e quan Papa vrasjen e djeshme në Irak të një meshtari kalde dhe të tre diakonëve të tij. Në një telegram ngushëllimi, drejtuar ipeshkvit kalde të Mosulit, imzot Paul Faraj Raho, Benedikti XVI, thellësisht i hidhëruar, thekson pjesëmarrjen e Tij në dhimbjen e bashkësisë së Mosulit e lutet që ky flijim t’i frymëzojë zemrat e të gjithë njerëzve vullnetmirë t’i refuzojnë rrugët e urrejtjes e të dhunës e të punojnë për bashkëpunim e pajtim, drejtësi e paqe në Irak. Vrasja e katër njerëzve të Kishës dëshmon edhe një herë për kushtet tragjike në të cilat jetojnë të krishterët irakianë. Atë Raged dhe tre bashkëpunëtorët e tij humben jetën pak pas përfundimit të Meshës të së dielës, përpara Kishës kushtuar Shpirtit Shenjt, famullitar i së cilës ishte meshtari i vrarë. E dita e djeshme qe veçanërisht e përgjakshme në të gjithë Irakun.







All the contents on this site are copyrighted ©.