2007-06-04 18:31:26

Lajme nga bota


(04.06.07 RV)Trupa libanese kanë rrethuar sot kampin e refugjatëve palestinezë të Ain el Hilveh, pas ndeshjeve të mbrëmshme me grupin islamik Jund al Sharm, gjatë të cilave mbetën të vrarë dy ushtarë e dy militantë. Ain el Hilveh është kampi më i madh ndër 12 kampet e refugjatëve në Liban. Ndërkaq, vazhdon rrethimi në kampin tjetër afër Tripolit. Për momentin dihet se të dyja grupet islamike janë sunite, të frymëzuara nga ideologjia e Al Kaidës, të lidhura ndërmjet tyre me miqësi ndërmjet anëtarëve.


Bombat e shpërthimet e kamikazeve janë fatkeqësisht të zakonshme në Irak, por shpërthimi i sotëm në Bagdad, që shkaktoi së paku 2 të vdekur e rreth 10 të plagosur tregon se janë vënë në shënjestër të krishterët. Në fakt, bomba ishte vendosur pranë një kuvendi të krishterë në lagjen jugore, ku jetojnë njerëz me fe të ndryshme. Ndërkaq, shfaqet në internet një video ku tregohen dy ushtarë amerikanë të kapur peng më 12 maj. I treti, i kapur në të njëjtën ditë, u gjet i vdekur pranë lumit Eufrat në fund të majit.
Së paku 31 trupa pa jetë janë gjetur gjatë 24 orëve të fundit në lagje të ndryshme të Bagdadit dhe 13 të tjerë në Bakuba. Trupat kishin shenja të qarta torture. Gjatë javëve të fundit, pavarësisht nga fillimi i operacionit masiv kundër terrorizmit, i quajtur “Të imponojmë ligjin”, mbetet i lartë numri i të vrarëve që gjenden në rrugë, pjesa më e madhe e të cilëve, të paidentifikuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.