2007-06-04 18:22:47

"Deshën të vrisnin Zotin": në italisht libri mbi martirët e fesë në Shqipëri


(04.06.07 RV)RealAudioMP3 “Deshën të vrisnin Zotin”: ky është titulli i librit që vë në pah heroizmin e martirëve shqiptarë të fesë, guximin e një populli që në vitet e egra të diktaturës diti t’i qëndrojë dhunës e të ruajë gjënë më të çmueshme për të mbetur njeri, shpirtin. Libri është i njohur për lexuesin shqiptar në versionin frëngjisht, pasi shkruar nga një diakon francez, Didie Rans me financimin e organizmit kishtar “Ndihmë për Kishën që vuan”. Sot, në Librarinë e jezuitëve në Qendrën Astali në Romë, u paraqit versioni italisht, i përkthyer e i botuar nën kujdesin e at Ernesto Santuçit, edhe ky jezuit, që punon e jeton në Shqipëri që nga viti 1991. Të pranishëm: senatori italian Xhulio Andreoti dhe një nga editorialistët më të njohur italianë, profesor Gaspare Barbielini Amidei. Në studio, ftuam vetë at Ernesto Santuçin, për një koment mbi librin dhe mbi martirët shqiptarë të fesë…
E pashë këtë libër në frëngjisht, kur autori ia dhuroi at Lulit, jezuitit shqiptar, martir të fesë. Kur at Luli vdiq, e gjeta mbi tavolinën e tij të punës. E lexova dhe më pëlqeu. Isha shumë i zënë, përndryshe do ta kisha bërë një përpjekje për ta përkthyer nga frëngjishtja në italisht. Por ja, Provania Hyjnore! Vjen të më takojë një mikeshë imja, profesoreshë e gjuhës franceze. E pa këtë libër dhe më tha: “Ma jep se ta përkthej unë!” Për një vit ky libër u përkthye në italisht. Më pas, gjeta edhe një mik editor, i Shtëpisë Botuese Avaliano, i cili e botoi. Libri tani ekziston edhe në italisht. Ndoshta ka gabime, sepse është shtypur shpejt, por unë desha të dilte në një kohë sa më të shkurtër. Ky libër është fryt punës kërkimore të një diakoni francez, Didie Rans, bërë në vitet ’95-’96, nëpërmjet udhëtimeve lart e poshtë në Shqipëri, nëpërmjet mbledhjes së dëshmive. Në libër, autori uron që martirët shqiptarë të shpalleshin të tillë në vitin 2000, por ka vonesa, nuk e di përse. Unë shpresoj që ky libër të jetë një shtysë që të arrihet sa më shpejt në lumnimin e martirëve shqiptarë.
U kujtojmë dëgjuesve se ka filluar procesi i lumnimit të martirëve shqiptarë…
Brenda këtij viti 2007, dokumentacioni i plotë duhet të arrijë në Romë. Unë shpresoj që ky libër të ketë një përhapje të gjerë edhe në Itali, që italianët të njohin Shqipërinë dhe shqiptarët e vërtetë. Italianët i njohin shqiptarët si trafikantë gomonesh, si hajdutë e si trafikantë prostitutash, por nuk e dinë se ç’ka ndodhur më parë në Shqipëri. Janë 50 vite të gjata të persekutimit, gjatë të cilave, ky regjim ateist, marksist-leninist është përpjekur t’u shkatërrojë shpirtin shqiptarëve. Prandaj, këta persona që sot janë në Itali e kryejnë këto veprime të dënueshme, janë fryt i edukimit marksist-leninist. Ndoshta ndokush nuk do as t’i dëgjojë këto gjëra, por unë i them dhe jam i bindur se është kështu. Sepse shqiptari i vërtetë, shqiptari që po rilind – ne besojmë shumë tek rinia – ka zemër, shpirt të vërtetë, është me të vërtetë i lidhur me fenë katolike. Janë të rinj e të reja të mrekullueshme.
Sipas jush, cila është gjëja më e çmuar që nxjerr në pah dëshmia e të krishterëve shqiptarë?
Besnikëria. Ajo që më bën më shumë përshtypje është besnikëria e këtyre ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, laikëve, të cilët kanë mbetur besnikë deri në vdekje. Janë internuar, persekutuar, pushkatuar për ta zhdukur fenë katolike. Jo më kot libri titullohet “Deshën ta vrisnin Zotin”, por nuk ia dolën, se Zoti është më i madh se ata. Në ditën e Rrëshajve po mendoja këtë gjë: dhuratën e qëndresës. Mendoj se Shpirti i Shenjtë, në ato vite, u jepte pikërisht dhuratën e qëndresës këtyre burrave e grave. Sot kjo shihet qartë.
Ka ndonjë rast që iu ka mbetur në mendje, që e keni njohur personalisht?
Një i ri që e kam njohur vetë dhe që tani jeton në Itali, nipi i kardinal Koliqit. Kur u nis për të kryer shërbimin ushtarak, e ëma i vuri një kryq në qafë. Shokët ia panë dhe e denoncuan tek eprorët, të cilët i thanë ta hiqte kryqin se ishte shenjë supersticioni. Ai iu përgjigj: “Kur të ma prisni kokën mund të ma hiqni kryqin”. I shkoi mbarë, se e lanë të qetë.
Me të vërtetë, kur mendoj për sivëllezërit e mi meshtarë më vjen për të qarë. Jo vetëm të krishterët e parë kanë vuajtur martirizimin. Papa Gjon Pali II e ka quajtur shekullin XX, shekulli i martirëve. Ky libër është dëshmi për këtë.
Sipas përvojës suaj 15 vjeçare në Shqipëri, si paraqitet shpirtërisht Kisha e re shqiptare, dalë nga katakombet?
Duhet bërë një dallim i madh ndërmjet qytetit e fshatit. Unë nuk jetoj në qytet, jetoj në fshat, e në fshat njerëzit janë të mirë, të thjeshtë e të sjellshëm. Po e rizbulojnë krishterimin hap pas hapi. Në qytete gjërat janë pak ndryshe, ka më shumë konsumizëm, dëshirë për t’u pasuruar me shpejtësi, si në Itali.
Gjithsesi, para dy javësh isha në katedralen e Tiranës për 120 krezmime. Nga sytë e këtyre të rinjve e të rejave rrezatohej dritë dhe gëzim i madh. Besoj se Shpirti i Shenjtë do të vazhdojë të veprojë edhe më tej në këta persona.
Që prej një viti, ne kemi hapur në Tiranë librarinë katolike. Ka një interesim shumë, shumë të madh. Kërkojnë libra… një zotëri kërkoi madje edhe veprat e plota të shën Tomës në shqip. Duhet të presim edhe disa vjet për t’i pasur. Por blejnë libra fetare, i lexojnë me dëshirë, i përpijnë. Botimi i titujve të rinj rritet gjithnjë e më shumë. Edhe kjo është shenjë se ka interes.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.