2007-06-03 17:39:28

Në Engjëllin e Tënzot Papa uroi që armët në botë t’ia lëshojnë vendin dashurisë.


(03.06.2007 RV)Si përfundoi Mesha solemne, gjatë së cilës shpalli katër shenjtorët e rinj, Papa i përshëndeti besimtarët e vendeve të ndryshme, duke kujtuar edhe shiun që vijoi gjatë gjithë kremtimit:
”Ju falënderoj për durimin, por ujët është pasuri e madhe, prandaj jemi mirënjohës edhe për shiun”- tha Papa e, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi shumë popullsi që vuajnë për shkak të luftërave:
“Përshëndes shtegtarët e gjuhës italiane, posaçërisht Shoqatën Kombëtare të Shëndetësisë Ushtarake, motua e së cilës është: “Armët t’ia lëshojnë vendin mëshirës”- kujtoi Papa dhe, në përfundim uroi që kjo të realizohet në mbarë botën, një botë e cila do të ishte vërtetë e lumtur, në se arma do të mund të zevendësohej me dashurinë e Zotit e të njeriut.
Së fundi kujtoi 750-vjetorin e zhdukjes së skllavërisë në qytetin e Bolonjës, duke uruar që bota të thellojë impenjimin për zhdukjen e skllavërive të reja, të cilat vijojnë ta trondisin njerëzimin.Si përfundoi edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI priti në kapelën e Zojës së Dhimbshme në Vatikan, kryetarët e delegacioneve të vendeve që morën pjesë në kremtimin e sotëm, duke nderuar kështu bijtë e tyre të lartuar në nderimet e elterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.