2007-06-03 17:39:50

Një mozaik shumëngjyrash me mesazhet aktuale të Shenjtorëve të rinj.


(03.06.2007 RV)Në mikrofonin tonë tre postualtorë të Çështjeve të kanonizimit e sivëllau i shenjtit françeskan, atë Perugjini:RealAudioMP3
Imzot Fransua Dutel, postulator i Çështjes së shenjtërimit të Maria Eugjenies së Jezusit mendon se mesazhi i Shenjtes së re buron nga mënyra sesi e shikoi ajo kohën e vet:
“Maria Eugjenia e Jezusit, sipas meje, e shikoi kohën e vet me shpresë; për të bota ishte vend i dëftimit të Hyjit e vend për ta lavdëruar Hyjin. Megjithëse e kalonte shumicën e kohës në lutje, si rregulltare kundruese që ishte, ajo nuk u shkëput kurrë nga bota, të cilën e desh me një dashuri gjithnjë më të madhe. Nuk mund të dëgjonte të flitej për tokën si vend mërgimi. E konsideronte më shumë si vend lavdie për Hyjin. E kishte kuptuar mirë se Hyji ka një plan për botën e se në të, jemi të ftuar të bashkëpunojmë të gjithë, sepse secili nesh e ka një mision të caktuar mbi tokë. Prandaj na lë trashëgim mesazhin e shpresës, por jo pa impenjim: na kërkon të bashkëpunojmë për realizmin e qiejve të rinj e tokës së re, që janë trashëgimi i vërtetë i njerëzimit. Na siguron edhe se shenjtëria nuk është gjendje, po udhë feje e dashurie, në të cilën duhet të ecim të gjithë ditë për ditë. Shenjtëria është dhuratë që merret vetëm nga Hyji. Ne na takon të ecim, duke iu përgjigjur thirrjes së Tij”.
Atë Gjovani Zubiani, postulator i Çështjes së shenjtërimit të Shën Karlit, citon fjalët e gjeneralit të Urdhërit, për të theksuar mesazhin që u përcjell rregulltari njerëzve të kohëve tona:
”Siç shkruan gjenerali ynë, mesazhi që Atë Karli i përcjell sot Kishës, Kongregatës së Mundimeve të Krishtit e botës, është ftesa për besnikëri ndaj Zotit edhe me çmimin e jetës. Eshtë, pra, ftesë për ta jetuar kujtimin e Jezusit të kryqëzuar, që dhuroi jetën për të mirën e çdo njeriu. E kjo ftesë i nxit edhe pasionistët ta dhurojnë gjithë jetën e tyre për të tjerët. Këtë shpresonte Shën Pali i Kryqit kur shkroi: “Rregulltarët, të vdekur për vetveten, janë të gatshëm të marrin vulën e hirit hyjnor, me qëllim që me zemrën plot me dashurinë e Hyjit, të bëjnë gjëra të mëdha për lumni të Tij e për mbrojtjen e Kishës Shenjte, duke mos kursyer për këtë as jetën”.
Postulatori i Çështjes së Shën Gjorgj Prekës, imzot Sharl Shikluna është i bindur për aktualitetin e Shenjtit në botën e sotme. Pse?
“Figura e të lumit Gjorgj Preka është aktuale për mbarë Kishën. Don Gjorgj Preka radhitet në aradhet e lumnueshme të profetëve që Shpirti Shenjt ngjalli në Kishë, për të pohuar me forcë të ëmbël rolin themelor të fjalës së Hyjit në edukim e në jetën e krishterë, por jo më pak, për të theksuar edhe rolin e rëndësishëm e të domosdoshëm të laikëve, si veprimtarë aktivë të ungjillëzimit në gjirin e Kishës. E, së fundi, në mikrofonin e Radios sonë, atë Luigj Perugjini, sivëlla i Shën Simonit nga Lipnica, i përgjigjet kështu pyetjes që u drejtuam tre postulatorëve mbi aktualitetin e figurës së rregulltarit françeskan polak:
“Karakteristika e tij mund të themi se është kjo: Shenjti i ri diti të bashkojë në mënyrë heroike impenjimin për ungjillëzimin, me dashurinë e krishterë, detyrë kjo për çdo besimtar, dje e sot. Dashuria e madhe për fjalën e Zotit e nxiti të shikojë Krishtin në fytyrën e gjithë vëllezërve, posaçërisht të vëllezërve më të varfër e më të vuajtur: atyre që takonte te porta e kuvendit të tij, atyre që mbushnin përplot kishat e sheshet për ta dëgjuar, kur fliste e, së fundi, atyre që i vdisnin në prehër nga murtaja. Urdhëri i Fretërve të Vegjël, i cili në vitin 2009 do të kremtojë 800-vjetorin e themelimit, gëzohet në mënyrë të posaçme për shenjtërimin e të Lumit Simon nga Lipnica, sepse shikon në të një ndjekës të vërtetë të Shën Françeskut, që jo vetëm i ndihmoi të varfërit, por jetoi si njeri i varfër, plot me përvujtëri e me gëzim të pakufishëm, pasuri këto që që Ati serafik ua la trashëgim bijve të vet të djeshëm e të sotëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.