2007-06-01 19:04:16

Rusia nuk pranon rezolutën e rishikuar për Kosovën


(01.06.07 RV)Rusia konfirmoi zyrtarisht se nuk e pranon tekstin e rishikuar të rezolutës së OKB-së mbi Kosovën, paraqitur dje në Këshillin e Sigurimit nga Britania e Madhe, sëbashku me SHBA-të, Gjermaninë, Italinë, Francën, Belgjikën dhe Sllovakinë. Pas opinionit negativ të ambasadorit rus në OKB, Vitali Çurkin, sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mikail Kaminin deklaroi se versioni i ri akoma nuk e kënaq Moskën.
Projktrezoluta e re shpreh “mbështetje” ndaj planit të Ahtisarit, ku “mbështetje” është përdorur në vend të fjalës “pranim” të bocës së mëparshme. Gjithashtu, rezoluta e re u “kërkon” autoriteteve kosovare të zbatojnë plotësisht standartet demokratike, në vend që të “nënvizojë” nevojën e respektimit të tyre, siç thuhet në planin fillestar.
Ministria e Jashtme ruse ka kërkuar sërish rihapjen e negociatave Serbi-Kosovë, ndërsa ambasadori i SHBA-ve në OKB, Zalmay Khalilzad ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Ai theksoi se Uashingtoni do të dëshironte që teksti të votohej javën që vjen, por “do të bëjmë ç’është e mundur –shtoi- për të integruar në të sugjerimet konstruktive të kolegëve tanë rusë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.