2007-06-01 19:12:04

Para G8-ës, tension Rusi-SHBA


(01.06.07 RV)RealAudioMP3 Pak ditë para takimit të G8-ës në Hailigendam të Gjermanisë, ashpërsohet tensioni ndërmjet Rusisë dhe SHBA-ve për projektin e mbrojtjes kundër raketave, që Uashingtoni ka ndërmend të fillojë në Poloni e në Republikën Çeke. Presidenti rus, Vladimir Putin akuzon amerikanët se kanë filluar sërish garën e armatimeve. Përse Moska kundërshton vendosjen e raketave në dy vendet e Evropës Qendrore? Pyetëm Fulvio Skalionen, zv.drejtor i revistës së njohur kishtare italiane “Familja e krishterë” dhe ekspert i çështjeve që përfshijnë zonën e ish-Bashkimit Sovjetik:
Ky projekt amerikan nuk është i qartë: Nuk kuptohet se kë duhet të godasin me këto raketa Polonia dhe Republika Çeke. SHBA-të flasin për mbrojtje kundër “Shteteve terroriste”, a thua se Irani apo Koreja e Veriut po përgatiten të sulmojnë Poloninë, për shembull. Është e qartë së nëse objektivi nuk është ky – e s’mund të jetë ky – atëherë synimi i vetëm është mbrojtja e vendeve ish-sovjetike nga kthimi i mundshëm i ekspansionizmit rus. Kjo natyrisht i acaron rusët, të cilët nuk më duket se janë gati të pushtojnë Poloninë apo vende të tjera.
Amerikanët kanë dalë nga Traktati kundër raketave balistike. Rusia, e cila kohët e fundit ka bërë një provë me këto raketa, kërcënon se nuk do ta respektojë Traktatin mbi armët konvencionale në Evropë. Po kthehet lufta e ftohtë?
Kuadri politik global që karakterizonte luftën e ftohtë është zhdukur përgjithmonë. Atëherë kishim dy blloqe të kundërta e kjo kundërvënie i mbante të bashkuara të dyja frontet. Sot, kanë hyrë në skenë aktorë të tjerë: Kina, India, Rusia, por edhe Irani, Pakistani, Arabia Saudite, Venezuela. Janë të gjitha vende, të cilave nuk mund t’u imponosh asgjë, sidomos kur preteksti është thjesht kundërvënia e blloqeve, që nuk ekzistojnë më.







All the contents on this site are copyrighted ©.