Komisioni BE vendos rifillimin e negociatave me Serbinë
(01.06.07 RV)Komisioni Evropian ka vendosur të rifillojë negociatat për Marrëveshjen
e Asociim-Stabilizimit me Serbinë. Lajmin e dha komisari për zgjerim i Bashkimit Evropian,
Olli Ren, me anë të një note. Hapi vendimtar në këtë drejtim u bë dje me arrestimin
e ish-gjeneralit serbo-boshnjak, Zdravko Tolimir, numri 3 në listën e të kërkuarve
të Hagës dhe krahu i djathtë i gjeneralit Ratko Mladiç. “Pas një vlerësimi të
kujdesshëm e të shtrirë – pohon Ren në komunikatë – mund të konfirmoj se Komisioni
mund të rifillojë negociatat me Serbinë. Data për turnin e ardhshëm të bisedimeve
do të vendoset pas kthimit të kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte
nga Serbia”. Del Ponte do të shkojë në Beograd javën e ardhshme e do të vlerësojë
vullnetin për bashkëpunim të qeverisë së re serbe. Ren thekson se përfundimi i negociatave
do të varet nga bashkëpunimi i plotë i Serbisë me Gjykatën ndërkombëtare për krimet
në ish-Jugosllavi.