2007-05-31 18:13:58

Sot Benedikti XVI u takua me punonjësit e Governatoratit të Shtetit të Vatikanit.


(31.05.2007 RV)Sot pasdite Papa Benedikti XVI u takua me familjen e madhe të punonjësve të Governatoratit të Shtetit të Vatikanit, me fjalë të tjera, të qeverisë së shtetit të vogël papnor, që nderon si pajtore Zojën e Bekuar, një shtatore e madhe e së cilës është vendosur në vendin më të dukshëm të ndërtesës qeveritare. Prandaj Benedikti XVI zgjodhi për këtë takim pikërisht ditën e sotme, në të cilën Kisha kremtoi Pasinë e së Lumes Virgjër Mari tek Shën Elizabeta, takim solidariteti e shërbimi.
Benedikti XVI theksoi vlerën e veprimtarisë së punonjësve të pranishëm, të cilët i quajti bashkëpunëtorë të Papës në kryerjen e detyrës që i ka besuar Zoti në shërbim të Kishës.
Governatorati, ku ju kryeni detyra të ndryshme – u tha Papa punonjësve – ka një funskion tepër të rëndësishëm. Kur paraardhësi im i nderuar, Piu XI kryesoi bisedimet për Paktet Lateranense, u përpoq që Selia e Shenjtë të kishte një territor, i cili duhej t’i siguronte pavarësi absolute për përmbushjen e misionit të saj në botë. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë - e vlerësoj lart veprimtarinë tuaj në sektorët e ndryshëm të shtetit tonë të vogël, që nga shërbimet më të dukshme, deri tek ato më të padukshmet. Më pas, duke shpjeguar se një shërbim i tillë në Vatikan ‘për e me Papën’, kërkon edhe flijime, Ati i Shenjtë kërkoi nga punonjësit e Governatoratit jo vetëm aftësi të larta profesionale e përkushtim, por edhe impenjim në dëshmimin e përditshëm të Ungjilit. Papa i porositi t’u qëndrojnë besnikë premtimeve të Pagëzimit në punë e në familje, të jenë nxënës të bindur e të besueshëm të Krishtit, sepse vetëm kështu mund të japin ndihmesën e tyre të vërtetë në përhapjen e Ungjillit e në ndërtimin qytetërimit të dashurisë.
Kujtojmë se gjatë takimit me bashkëpunëtorët e tij, Papa bekoi, në Kapelën e Governatoratit, një figure të bukur të Zojës së Bekuar, që nderohet si ‘Nënë e familjes’ si dhe një organo, që do të shoqërojë këngët gjatë kremtimeve eukaristike të përditshme, në të cilat marrin pjesë punonjësit, me bindjen se Kisha në mes të zyrave e ofiçinave të tyre u kujton çdo ditë vështrimin atëror të vetë Zotit.Pas këtij takimi, Benedikti XVI mbylli edhe kremtimet e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, në përfundim të proçesionit tradicional në Kopshtet e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.