2007-05-31 18:00:57

Lajme nga bota


(31.05.07 RV)SHBA-të janë akoma të gatshme të fillojnë dialogun me Iranin, përveç diskutimeve për Irakun, me kusht që Teherani të vendosë pezullimin e programit të tij bërthamor. Deklaratën e bëri në Vjenë, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs.

Parlamenti turk miratoi sot zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës, duke i hapur kështu rrugën reformës së Kushtetutës. Kanë votuar pro dy të tretat e asamblesë. Sipas ligjit, presidenti aktual Ahmet Nexhdet Sezer nuk mund të vendosë veton kundër këtij vendimi, por mund të thërrasë popullsinë të shprehet me referendum brenda 4 muajve. Gjithsesi, ky parlament do të ndryshohet më 22 korrik, kur do të bëhen zgjedhjet e parakohshme.

Duhani është i dyti në listën e shkaqeve që çojnë drejt vdekjes në të gjithë botën. Gjysma e personave që sot pijnë duhan rregullisht mund ta humbin jetën për këtë arësye, ashtu si edhe qindra mijëra persona të tjerë që qëndrojnë pasivisht në vende ku pihet duhan. Organizata Botërore e Shëndetësisë denoncon këtë realitet në Ditën e sotme botërore pa duhan, e cila sivjet ka për temë “Ambiente pa tym”. Personat që pijnë duhan janë gati 1 miliard në të gjithë botën, duke filluar nga mosha 15 vjeç. 35% e tyre jetojnë në vendet e zhvilluara e 250 milion prej tyre janë gra. Vitet e fundit, shkencëtarët që janë marrë me problemin, kanë nxjerrë në pah se edhe mospirja e duhanit, por qëndrimi në lokale ku pihet duhan, shkakton dëme në organizëm, me pasoja të rëndësishme për lindjen e tumoreve dhe të sëmundjeve të zemrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.