2007-05-31 17:57:50

Gjykatë ndërkombëtare për hetimet e vrasjes së ish-kryeministrit libanez


(31.05.07 RV)Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi që të ngrejë një Gjykatë të veçantë ndërkombëtare për të hetuar mbi vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri. Vendimi pritej me padurim nga Bejruti dhe u votua me 10 konsensuse e me abstenimin e Rusisë, Kinës, Afrikës së Jugut, Indonezisë dhe Katarit.
Sipas Sirisë, kjo është një lloj hakmarrjeje politike. Gazetat shkruajnë sot se kjo është një ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të Libanit, i cili rrezikon prishjen e harmonisë e të unitetit kombëtar. Ndërkaq, ministri i jashtëm libanez, Manuher Motaki është takuar sot pa paralajmërim me presidentin sirian Bashar Asad në Damask.
Rezoluta e miratuar mbrëmë nga Këshilli i Sigurimit i jep Libanit afat deri më 10 qershor, që ta njohë Gjykatën ndërkombëtare, ku do të bëjnë pjesë si gjykatës ndërkombëtarë, ashtu edhe libanezë. Por në mungesë të konsensusit në Bejrut, rezoluta hyn në fuqi automatikisht. Hetimi paraprak i OKB-së mbi vrasjen e ish-kryeministrit libanez Hariri më 14 shkurt 2005, ka treguar se përgjegjësit duhen kërkuar në radhët e shërbimeve sekrete të Libanit e të Sirisë, por kjo e fundit i ka hedhur gjithmonë poshtë akuzat.







All the contents on this site are copyrighted ©.