2007-05-31 17:55:38

Ekstremistët: edhe gratë e krishtera në Irak të venë shami


(31.05.07 RV)RealAudioMP3 Gratë e krishtera të Irakut do të detyrohen të venë në kokë shaminë, ashtu si myslimanet, përndryshe duhet të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi. Në një letër të shpërndarë këto ditë në Bagdad, estremistët islamikë të imamit radikal shiit Moktada Al Sadr, vihet në dukje se të gjitha gratë, duke përfshirë edhe shën Marinë Virgjër e kanë mbuluar gjithnjë kokën. Dënimi për gratë që nuk e zbatojnë këtë ligj është i qartë: “tradhëtojnë bashkëshortin, sfidojnë Allahun dhe Profetin e tij dhe injorojnë e mohojnë fenë”. Në mikrofonin tonë Souad Sbai, presidente e Shoqatës së Grave Marokene në Itali:
Ky është ekstremizëm total që dëshiron të mohojë çdo të drejtë të gruas të vishet si të dojë. Këta duan ta bëjnë Irakun si Iranin. Ky është një interpretim radikal, ekstremist, që s’ka të bëjë me Kuranin. Ky nuk është Iraku që duan irakianet, të krishtera, sunite apo shiite qofshin. Ekziston një shqetësim i madh edhe ndërmjet intelektualëve arabë për këtë.
Ndërkaq, në terren, në një shpërthim në Faluzha, gjetën vdekjen së paku 30 vetë dhe u plagosën 20 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.